Guvernatori Ardian Fullani, i ka cilësuar si artificiale luhatjet e konsiderueshme që monedha vendase ka njohur ditët e fundit në kursin e këmbimit, sidomos në raport me euron. Leku tha Guvernatori i bankës qendrore, gjate një takimi të organizuar në Tiranë me homologun e vet turk, është një monedhe e qëndrueshme dhe se pasiguria e shfaqur nga agjentet ekonomike në gjykimin e Bankës së Shqipërisë është e pabaze.
Ardian Fullani: “Ta lëmë kursin e këmbimit të qetë. Të gjithë reagimet e nxituara afatshkurtra siç është demonstruar disa herë psh, janë demonstruar disa herë gjatë këtij viti dhe më së fundmi, dhe ditët e para të kësaj jave, kanë një kosto financiare individuale për ata që i ndërmarrin dhe njëkohësisht një kosto financiare për ekonominë shqiptare. Asnjë agjent ekonomik nuk është më i fort sesa fondamentet, sesa bazamentet e ekonomisë. Volatiliteti i lartë dhe pasiguria në tregun valutor nuk kanë asnjë bazë reale sipas BSH”.
Guvernatori Fullani theksoi se Banka e Shqipërisë ndjek një politikë fleksibel të kursit të këmbimit, e përcaktuar kjo nga ofertë-kërkesa në treg, teorikisht kjo njihet si mënyra më efikase për qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit për vendet në zhvillim tha Fullani, teksa i bëri thirrje agjenteve ekonomike që të shohin lekun si monedhën ku duhet të ruajnë kursimet dhe të mbështesin aktivitetin deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ardian Fullani: “Eurozimi i ekonomisë është një ide vizionare që shef nga e ardhmja, jo vetëm për Shqipërinë po për të gjithë rajonin dhe më gjerë, përderisa aspirata finale e kësaj zone është anëtarësimi në BE. Ne mbetemi tërësisht të bindur në përfitimet që sjell regjimi i lirë i kursit të këmbimit, ai do të jetë pasaporta dhe mbështetësi më i mirë i ekonomisë shqiptare në rrugën e integrimit europian. I ftoj të gjithë agjentët ekonomik të gjykojnë me ftohtësi mbi përfitimet e monedhës sonë kombëtare si instrumenti më i mirë afatgjatë për ruajtjen e kursimeve të tyre dhe si zbutësi më i madh i luhatjes së vlerës së pasurisë. Leku për Shqipërinë ka qenë, është dhe do të mbetet një monedhë e suksesshme. Leku është ikona e ekonomisë shqiptare, ai do të na shërbejë deri në portat europiane”.
Deklaratat e guvernatorit u bë në një ditë kur Leku vijoi të humbë terren në raport me monedhat kryesore. Në tregun e lirë valutor këtë të enjte krahasuar me një ditë më parë një euro u shkëmbye për rreth 2.6 lekë më shumë teksa ju drejtua nivelit historik të 138 lekëve, ndërkohë që dollari u rrit me 1.5 lekë./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro