Partia Socialiste ka nisur një seri tryezash debat me ekspertë për të diskutuar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe efektet sociale që do të sjellë ky shtrenjtim.
Edhe pse ka akuzuar qeverinë për keq menaxhimin e sektorit energjetik dhe mungesë transparence në privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, vetë kryesocialisti Rama nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë nëse është pro apo kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Edi Rma: “Në fakt rritja e çmimit të energjisë nuk përbën më lajm për askënd në Shqipëri, shqiptarët janë mësuar të kenë rritje vit pas viti. Fakt është gjithashtu se për secilën nga 230 familjet pensionistësh, fatura e energjisë elektrike është 10 % e pensionit mujor. Për secilin nga 110 mijë personat me aftësi të kufizuar, fatura e energjisë elektrike është 20 % e përfitimit mujor. Për secilin nga 9 mijë të papunët në pagesë papunësie fatura e energjisë elektrike është 30% e përfitimit mujor.”
I ftuar në këtë tryezë, kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ka akuzuar Partinë Socialiste se për çështje të rëndësishme bën përherë debate të ashpra politike në një kohë që ka sipas tij mungesë alternativash për zgjidhje të problemeve.
Gjergj Buxhuku: “Diskutime të tilla janë shumë të vlefshme, por duhet të jenë me të prekshme dhe më konkrete për të qenë të sinqertë me njëri-tjetrin dhe me qytetarët. Por doja të dija alternativën se si ekspertët që ju keni në krah, mendoj që tashmë derisa janë ulur në tavolinë përballë kamerave dhe grupeve të interesit duhet të kenë përgatitur një qëndrim.”
Kryesocialisti Rama ka lënë të kuptohet se protestave të opozitës për hapjen e kutive do t’i bashkëngjitet dhe kërkesa për të kundërshtuar rritjen e çmimit e energjisë elektrike./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka