Ardian Fullani: “Volatiliteti i lartë dhe pa siguria në tregun valutor nuk kanë asnjë bazë reale sipas BSH”.
Ridvan Bode: “Ky presion psikologjik është ndërmarrë edhe për t’iu kundërvënë apo duke abuzuar në një deklaratë të kryeministrit si Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit bëjnë mirë të adoptojnë euron si monedhë të vendeve të tyre.”
Me sa duket guvernatori dhe ministri i Financave kanë pasur të drejtë. Flluska psikologjike e krijuar me kursin e këmbimit mes monedhës vendase dhe euros ka zgjatur 24 orë. Pasi ditën e sotme leku ka fituar epërsi në raport me monedhën e përbashkët evropiane dhe dollarin amerikan duke tentuar të rikapë nivelet e javës së kaluar.
Fjorald Zguro: “Duket se kanë zgjatur vetëm një ditë paqartësitë në kursin e këmbimit në raport me euron dhe dollarin amerikan. Siç shihet pranë agjencive të këmbimit valutor mesditën e së premtes një euro u shkëmbye për 135.8 lekë ndërsa dollari amerikan për 92.5.”
Luhatshmëria e kursit të këmbimit të këtyre ditëve ka tërhequr mjaft vëmendjen e qytetarëve. Pranë agjencive të këmbimit valutor në kryeqytet, qytetarët që vëzhgonin ndryshimet e kursit në tabelat e elektronike kanë qenë më të shumtë në numër se sa ata që realisht këmbenin monedhat.
Shumë prej tyre janë befasuar kur gjatë ditës kanë parë se si leku orë pas ore po fitonte pikët e humbura nga një ditë më parë.
“Është rritur goxha tani, ka vajtur në 140, është 136.7 ka rënë nga ç’kanë thënë, gënjyen.”
Por çfarë ndodhi ditët e para të kësaj jave në kursin e këmbimit valutor dhe ajo që është më e rëndësishmja si do të jetë e ardhmja, të paktën ajo afatshkurtër e monedhës vendase.
Drejtori i operacioneve monetare pranë Bankës së Shqipërisë, Marjan Gjermeni, është i mendimit se shumë shpejt situata do i kthehet normalitetit.
Marjan Gjermeni: “Këto vlera të kursit të këmbimit nuk kanë qenë reale, kanë qenë fiktive dhe kjo vërtetohet me momentin që mbrapa këtyre veprimeve ose mbrapa këtyre kuotimeve nuk është se janë bërë veprime të mëdha midis operatorëve të ndryshëm të tregut dhe kjo provon idenë që këto lëvizje kanë një natyrë të përkohshme dhe bëhen në kuadrin e një paniku. Kurset rriteshin pa bërë veprime në këto kurse. Kështu që në këtë këndvështrim domethënë ne kemi besim që kjo do zhbëhet në treg dhe shumë shpejt tregu do fillojë normalitetin e tij.”
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kuota më e ulët në të cilën u këmbye monedha vendase një ditë më parë kundrejt euros ka qenë 138.4 lekë.
Marjan Gjermeni: “Vërtetë nëpër screen-et e bankave ka qenë niveli 140, por ky nivel nuk ka qenë real, pasi nuk janë kryer veprime në këto kuotime. Maksimumi i nivelit që ka arritur gjatë kësaj periudhe ka qenë niveli 138.4, veprimet kanë qenë në vëllime të ulëta. Domethënë nuk është se ka pasur shumë kërkesë dhe shumë ofertë në këtë drejtim, gjë e cila e bën dhe këtë nivel në afatgjatë të jetë i paqëndrueshëm.”
Gjermeni shton se nga të dhënat e fundit operative në treg janë të shumtë ata që shesin sesa ata që blejnë, çka flet në favor të forcimit të lekut, sikurse tregojnë edhe tabelat elektronike në tregun e lirë valutor./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro