Drejtoria e Doganave mohon kategorikisht që në territorin shqiptar të ketë kaluar qoftë edhe 1 kontenier me mbetje, gjatë vitit që shkoi, denoncim që disa ditë më parë e bëri një portal i panjohur italian “Pianeta Italia”.
Në një intervistë për Televizionin Klan, drejtorja e përgjithshme e doganave Belinda Ikonomi, tregon listën me 1120 kontenierë që kanë hyrë gjatë vitit 2016-të në doganën e Durrësit me destinacion Maqedoninë.
Në këtë listë shihet çdolloj produkti, që nga ato ushqimorë, e deri te materialet e ndërtimit, por asnjë kontenier nuk tregon përmbajtje mbetjesh.
Pavarësisht listës që nxjerr sistemi elektronik në Shqipëri, Ikonomi sqaron se menjëherë pas këtij lajmi ka vënë në lëvizje shërbimet inteligjente doganore dhe janë kërkuar të dhëna nga autoritetet italiane dhe maqedonase.
Pala italiane është shprehur se nuk ka asnjë të gjurmë ku tregohet se janë eksportuar kontenierë me mbetje drejt Shqipërisë.
Nisur nga shqetësimi qe krijoi lajmi i publikuar ne portalin italian, prokuroria ka nisur një hetim për tË hedhur drite mbi çështjen. Doganat i kanë vënë në dispozicion të gjithë dokumentacioni që është kërkuar.
Portali italian shkruante se dispononte dokumente per 1 300 kontenierët, por deri me sot nuk ka publikuar asnjë dokument të vetëm. Ai iu fsheh edhe interesimit të Tv Klan për të hedhur dritë mbi pretendimet për trafikun e mbetjeve, teksa fillimisht pranoi të vinte dokumentet në dispozicion dhe me pas nuk iu përgjigj më thirrjeve telefonike të redaksisë së informacionit./ TV KLAN