Perspektiva evropiane ka qenë gur themeli për zhvillimin e gjithanshëm të vendeve të rajonit. Kështu u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, gjatë takimit me një grup deputetësh të parlamentit evropian, kryesuar nga deputetja Doris Pack.
Shefi i diplomacisë shqiptare shprehu mirënjohjen për angazhimin e të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë të BE-së në konsolidimin e paqes dhe stabilitetin në rajon, ndërsa informoi bashkëbiseduesit në lidhje me hapat që po ndërmerren për avancimin e Shqipërisë në proceset integruese drejt BE-së, si dhe rreth zhvillimeve të fundit në rajon.
Eurodeputetët u shprehën të kënaqur për arritjet e Shqipërisë në proceset e saj integruese dhe për anëtarësimin e pritshëm muajin që vjen në NATO, si dhe vlerësuan kursin e qartë të hapur dhe bashkëpunues të politikës së jashtme shqiptare.
Në mënyrë të veçantë europarlamentarët u shfaqën mjaft me interes për këndvështrimin dhe analizat e shtetit shqiptar për zhvillimet në Kosovë./tvklan.al
Gazetare: Danjela Kostandini