Lajme Arkiva 2003

Gjykata e deklaroi të mbyllur hetimin gjyqësor për dosjen voluminoze “Kokaina” dhe shpalli se ka mbaruar afati i paraqitjes së provave nga të gjitha palët. Kryetari i seancës Gjin Gjoni e deklaroi këtë në orët e pasdites.

Pas një seance disa orëshe dhe largimit nga salla të të pandehurit Sokol Koçiu, ky i fundit nuk paraqiti asnjë provë shkresore ndërsa kërkoi edhe njëherë përjashtimin e trupit gjykues. Kërkesa u rrëzua dhe kryetari Gjoni u shpreh se ato bëhen nga Koçiu për të zvarritur procesin.

U rrëzuan gjithashtu kërkesa të tjerë të të pandehurve për kryerjen e disa eksperimenteve shkencore lidhur me dëshminë e Lidia Çestarit dhe për shumën prej 1.000.000 Dollarësh të gjetur në banesën e të pandehurit Durda.

Prokurorët e çështjes Kosta Beluri dhe Kolë Hysenaj kërkuan tre javë kohë për të përgatitur konkluzionet e kësaj dosje, ose një javë më shumë se sa i përcakton ligji, por ata u shprehën se nevojitet shumë kohë për shkak të volumit të dosjes.

Megjithatë kryetari i trupit gjykues i la vetëm një javë kohë akuzës dhe caktoi datën 25 Mars si ditën e dhënies së konkluzioneve./tvklan.al