Përfaqësuesit e INSTAT-it kanë dhënë një konferencë për mediat në lidhje me të dhënat e Censit që u publikuan javën e shkuar.
Gjatë fjalës së saj, drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli ka thënë se procesi i Censit për nxjerrjen e shifrës së popullsisë banuese në territorin e Shqipërisë ka qenë transparente.
Më tej, Dhuli ka shtuar se është arritje që Shqipëria i ka publikuar të dhënat e Censit 7 muaj pasi të dhënat për popullsinë janë mbledhur në terren.
Elsa Dhuli: Puna e anketuesve ka qenë e devotshme dhe përpjekjet e tyre janë bërë maksimale. Procesi është kryer transparente e me profesionalizëm dhe nxjerrja e rezultateve, ka qenë transparente me shifrën e popullsisë banuese në territorin e Republikës së Shqipërisë. 7 muaj të publikohen të dhënat e rezultateve finale është një arritje e madhe. Kemi marrë në konsideratë të gjithë procesin gjatë grumbullimit të informacionit, edhe ata që do të dalin në muajin Tetor. Punë e madhe për të arritur në një afat kaq ambicioz.
Rezultatet finale që Shqipëria po i nxjerr 7 muaj pas grumbullimit të terrenit, është një arritje shumë e madhe sepse shtetet e tjera, rezultatet finale i nxjerrin pas 1 viti. Shqipëria i publikoi rezultatet finale sikurse planifikoi një vit e sa më para, sikurse e lançoi ditën e fillimit të këtij procesi. Kemi qenë shumë korrektë në atë që kemi transmetuar dhe është arritje e konsiderueshme. Arritje për atë që realizuam. Do të vijojmë të publikojmë të dhëna të tjera.
Përveç pakësimit të numrit të banorëve, në 2,402,113, struktura e popullsisë është plakur me ritme të shpejta. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë ka arritur në 42.5 vjeç duke u rritur me 7 vjet nga viti 2011, ku ky tregues ishte 35.5 vjet./tvklan.al