Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka rekomanduar tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fillimin e ecurisë disiplinore për Drejtoreshën e Tatimeve në Durrës, përgjegjësin e sektorit dhe një inspektor. Të tre këta persona kanë gjobitur një subjekt në Qerret me 10 milionë Lekë. Ministria e Drejtësisë thotë se kjo gjobë ka ardhur nga zyra dhe nuk është ushtruar kontrolli fizik. Por nuk përfundon me kaq. Të tre këta persona, pasi janë verifikuar nga specialistët e Antikorrupsionit kanë marrë hak ndaj subjektit. Herën  dytë ata i vunë një gjobë të majme prej 33 milionë Lekësh.

“Rasti i fundit që kam menduar të ndaj me ju sot i përket Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës. Kemi rekomanduar tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fillimin e ecurisë disiplinore për Drejtoreshën Rajonale të Tatimeve Durrës D.T, Përgjegjësin e Sektorit D.XH dhe inspektorin B.L. Këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë gjobitur pa kontroll fizik, pra nga zyra, me një shumë 10 milionë lekësh një subjekt në Qerret. Subjekti, me të drejtë, pas këtij veprimi ka kërkuar të drejtën e tij duke u ankuar edhe në Drejtorinë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Pasi specialistët tanë kanë nisur verifikimet, nga tre të lartpërmendurit ka mbërritur ajo që unë po e quaj hakmarrje ndaj subjektit; sërish pa asnjë kontroll fizik, nga zyra, i kanë vënë një tjetër gjobë prej 33 milionë lekësh. Një abuzim i pastër, arrogant madje me pozicionin e besuar nga shteti për t’i shërbyer qytetarëve”.

Ndërkohë Ministria e Drejtësisë ka kallëzuar në prokurori 3 persona të tjerë, pjesë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Bëhet fjalë për një drejtor rajonal, përgjegjës sektori dhe specialist. Në një raport në vitin 2021 ata kanë vëne si jo ekzistuese një godinë gjigande me funksion bar-restorant e ngritur brenda një parku kombëtar. Kallëzimi në prokurori ndaj këtyre personave është bërë për shpërdorim detyre, ndërkohë që është kërkuar edhe nisja e hetimit disiplinor për masën shkarkim nga detyra.

“Rasti i tretë ka të bëjë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Një godinë gjigande, me funksion bar-restorant, e ngritur brenda një parku të mbrojtur kombëtar, nuk rezulton si ekzistuese. Të paktën kështu e kanë referuar Drejtori Rajonal i Zonave të Mbrojtura, përgjegjësi i sektorit dhe specialisti në raportin e tyre për vitin 2021: Pra në parkun kombëtar nuk ka asnjë lloj ndërtimi. Në adresën e njësisë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka ardhur një ankesë, duke vënë në lëvizje specialistët tanë, hetim i cili ka konkluduar me kallëzim në prokurori për këta persona për shpërdorim detyre si dhe në kërkesën për fillimin e ecurisë disiplinore për masën shkarkim nga detyra”./tvklan.al