Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ka ndryshuar tërësish qëndrim drejtori i përgjithshëm i doganave Ferdinand Papadhima, i cili ndryshe nga konferenca e muajit të kaluar, ka pranuar për herë të parë, se është arrestuar në 1994 dhe se ka paguar një shumë prej 25 mijë dollarësh, si dëmshpërblim ndaj shtetit. Këtë herë, si Papadhima ashtu dhe zv/ministrja e Financave Adriana Berberi, nuk kanë mohuar arrestimin, por kanë përdorur tezën se drejtori i doganave nuk rezulton i dënuar.

Ferdinand Papadhima:- “Një person quhet i dënuar, vetëm atëherë, kur gjyqësori merr një vendim të formës së prerë. Për rastin tim, pas një ndalimi njëmujor, prokuroria e athershme, pasi realizoi objektivin e saj, ndaj meje, duke më detyruar të derdhë në arkën e shtetit shumën prej 25 mijë dollarë, që ishte i vetmi kusht për t’u liruar, mbylli çështjen penale pa e kaluar në gjykatë”.

Ndërsa i pyetur nëse do të japë dorëheqjen, zoti Papadhima është përgjigjur.

Ferdinand Papadhima:- “Unë nuk jam politikan, që të jap dorëheqjen, nuk marrë pjesë në lojëra politike, kështu që, unë jam një teknicien, detyra ime është të grumbullojë të ardhura për shtetin dhe më duket se punën po e kryej normalisht dhe me devocion”./tvklan.al