Këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të cilët të mërkurën nxorën disa kuti para bashkisë për të mbledhur ndihma nga qytetarët e kryeqytetit për familjet e përmbytura të Shkodrës, mbrëmjen e së premtes kanë votuar kundër kërkesës së demokratëve, për të dërguar një kontribut financiar për këto familje. Këshilltarët demokrat kërkuan që nga buxheti i bashkisë 40 milion lekë të reja të kenë si destinacion zonat e përmbytura, por socialistët votuan kundër, duke kërkuar që ndihma të mos përcaktohej në shifra, e që ajo të jepej pas miratimit të buxhetit, e ky shkaktoi edhe debate.
Adriana Berberi: “Këshilltarët Socialistë të Tiranës duke qenë për shtetin ligjor, për mënyrën se si funksionon, miratohet, hartohet dhe zbatohet buxheti dhe në njësinë e qeverisjes vendore, jam dakord për miratimin në parim të një vendimi, që në buxhetin e 2010 në përputhje me komentet diskutimet teknike që do të dalin në komision, të vendoset ajo shumë, e cila në mënyrë të arsyeshme dhe të logjikshme, shpreh kontributin e qytetarëve të Tiranës në ndihmë të Shkodrës”.
Suzana Guxholli: “Emergjencës nuk ke si i përgjigjesh me projekt. Me projekt i përgjigjesh një ngjarje të zakontë dhe të pritshme që është mëse e qetë. Shkodrës i është përgjigjur pa projekte, në vend, para një jave, para dy javësh, jo Shqipëria por gjithë bota, prandaj është turp për ne, që Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, akoma institucionalisht nuk i përgjigjet kësaj fatkeqësie, por i veshim me kutitë që i nxjerrim aty tek rruga siç tha dhe kolegu im dhe me ndihmat personale”.
Ferdianad Poni: “Ky është qëndrimi që duhet të mbajmë. Është turpi i gjithkujt që mund të mos votojë”.
Monika Kryemadhi: “Meqenëse u aludua se s’kemi ku t’i gjejmë ato para, unë propozoj që ke buxheti i 2010, nga fondi rezervë i kryetarit, ne themi që ato para të zbriten që andej dhe të kalojnë tek fondi në ndihmë të qytetarëve të Shkodrës”.
Pati edhe nga ata këshilltarë socialistë që argumentuan në këtë mënyrë votën kundër në këtë situatë emergjence për Shkodrën.
Besa Shahini: “Po ndodh ndonjë gjë në Tiranë dhe ne ato fonde mos gabimisht po ja heqim rrugëve të Tiranës, kanaleve të Tiranës dhe po na mbytet Tirana dhe ku do t’i gjejmë pastaj? Ti kërkojmë Shkodrës? Jo të lutem, jo, jo, jo. Unë përfaqësoj qytetin e Tiranës”.
Por pavarësisht votës kundër të socialistëve, ky fond do të shkojë për familjet e përmbytura, pasi kaloi me votat e këshilltarëve demokratë dhe atyre të LSI.
Ferdianad Poni: “Këshilli Bashkiak i Tiranës me një veprim të përgjegjshëm, të paktën mazhoranca e këshillit u përpoq dhe vuri në vend dinjitetin e qytetarëve të Tiranës, atë dinjitet të nëpërkëmbur nga turpi lakuriq i kryetarit Rama. Nga njeriu që edhe kur i përmbyt nuk kujtohet për ta dhe që pengoj edhe në mënyrë të turpshme, që t’i bashkoheshim propozimit të ligjshëm dhe të ndershëm të mazhorancës së këshilltarëve aty, për tu ardhur në ndihmë qytetarëve të Shkodrës”.
Këto para do të mund të lëvrohen pas miratimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2010, i cili pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës./tvklan.al