Ministri i Energjetikes, Dritan Prifti, ka pranuar situatën e kënaqshme hidrike, çka i ka hapur rrugën eksportimit te energjisë jashtë vendit.

Ne daljen e përjavshme para mediave, prifti tha se Korporata Elektroenergjitike ka hapur një tender për shitjen e energjisë.

Dritan Prifti: “KESH-i ka hapur procedura tenderimi për të shitur energji elektrike jashtë Shqipërisë, sepse siç e dini ne kemi një rezervë tashmë shumë të madhe në kaskadën e Drinit. Duhet të shesim energji elektrike sepse ndryshe do të na duhet të derdhim ujë dhe mos përfitojmë asgjë prej saj. Në ditët e kaluara KESH-i ka depozituar, edhe ka shitur energji elektrike deri në 4 milion kilovat orë në ditë. Çmimet janë mbi 40 euro, rreth 45 euro e pak.”

Eksporti i energjisë elektrike sipas KESH-it do te vazhdoje te paktën deri ne mesin e vitit te ardhshëm.

Fale shitjes jashtë vendit ne arkën e korporatës pritet te shtohen rreth 6 milionë euro ne muaj. Gjate një interviste për Televizionin Klan drejtori i Korporatës tha se këto te ardhura po përdoren për shlyerjen e borxheve, të cilat për dy vitet e fundit përllogariten rreth 200 milionë euro.

Muharrem Stojku: “Rezerva e energjetikës sot ka kaluar 1 miliard e 50 milion kilovat orë që gjenden rezervë në kaskadën e Drinit. Eksportet, unë mendoj që kemi filluar tani në Nëntor dhe do vazhdojmë deri në fund të Majit”.

Niveli i borxheve qe rendon mbi koston ka detyruar KESH-in te aplikoje pranë Entit Rregullator te Energjisë për rritjen e çmimit me 0,9 leke për kilovat/ore, gjë e cila është mbështetur nga ministri Prifti.

Dritan Prifti: “Mbështes aplikimet që ka KESH-i për të pasur një rritje të lehtë të çmimit të shitjes me shumicë të energjisë elektrike, por mbetet kompetence e Entit Rregullator të Energjisë të vendosë nëse do të rritet apo nuk do të rritet çmimi i KESH-it”.

Ne përgjigje te akuzave te opozitës për blerjen e energjisë Prifti tha se qeveria nuk do te shpenzoje asnjë qindarke për blerjen e saj, me privatizimin e OSSH-se kjo detyre sipas ministrit i takon kompanisë CEZ.

Dritan Prifti: “Kjo kompani private ka detyrimin të blejë import, pra energji elektrike nga importi për sistemin e shpërndarjes deri në sasitë e 2.5 miliard kilovat orëve në vit. Qeveria objektivin që ka pasur që me privatizimin e OSSH-së të heqë nga vetja detyrimin për të blerë energjinë elektrike nga importi dhe për të subvencionuar vlerën e kësaj energjie e realizoi me shumë sukses në privatizimin e OSSH-së./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro