Që në vitet e komunizmit, Roland Tasho ka qenë fotograf në disa nga organet e shtypit të asaj kohe, ka dokumentuar disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe më pas ka zgjedhur që të fokusohet në disa histori të veçanta.

Emisioni “Opinion” është fokusuar në një histori që lidhet me një karrige të vjetër, me gjasë prodhim i viteve të komunizmit ose ndoshta e trashëguar më parë, ka qenë karrigia e cila ndodhej në vendin e tij të punës, por që më pas janë ulur dhe fotografuar personalitete kryesore të artit dhe të letërsisë shqipe.

Prej pothuajse 30 vjetësh, personazhe të njohur të letërsisë shqipe janë ulur dhe fotografuar nga Roland Tasho për një ekspozitë të caktuar, por njëkohësisht secili prej tyre ka firmosur në këtë karrige.

I pari që është fotografuar ka qenë shkrimtari i madh Ismail Kadare, i cili ka lënë dhe firmën e tij.

Roland Tasho ka treguar dhe një histori mjaft interesante në shtëpinë e të madhit Dritëro Agollit kur kishte shkuar për t’i bërë fotografinë.

Blendi Fevziu: Kush ka qenë personazhi më interesant gjatë kohës që ke fotografuar?

Roland Tasho: Në procesin e portretit të fotografisë, nuk është thjesht ngre dorën dhe fotografo. Duhet të konsumosh një bisedë, është po aq e rëndësishme sa fotografimi.

Blendi Fevziu: Dritëro Agolli qenka shtrirë i gjithi mbi karrige për ta firmosur.

Roland Tasho: Dritëroi ishte shumë interesant sepse shkrimtarëve të moshuar, iu shkoja në shtëpi. Siç e kanë atë qerasjen e zakonshme, më nxorri një gotë raki me kafe. Në këtë kohë, e shoqja Sadija doli për të bërë pazar. Dritëroit i pëlqeu ideja e karriges shumë dhe duke bërë bisedat, tak kthyem dhe nga një gotë tjetër. Në momentin e 2 gotave dhe 1 tjetër, atëherë ai nxorri perlën e radhës dhe më tha që “karrigia është si puna e verës, sa më e vjetër, aq më me vlerë do të jetë, prandaj ruaje këtë karrige”. Në këtë moment vjen Sadija, më sheh pak me inat sepse dukeshin pak avujt e rakisë dhe marr karrigen unë me vrap./tvklan.al