Paraqitjet e Kombëtares gjatë kualifikueseve të Europianit që kulmuan me pjesëmarrjen në finalet e Gjermanisë, ishin konfirmimi se Sylvinho dhe stafi i tij ishin të duhurit për të drejtuar Kombëtaren. Federata e futbollit, veçanërisht Presidenti Duka besojnë se puna e tyre do të sjellë kualifikimin edhe në Botëror.
“Do luftojmë me top futbolli për të arritur në kampionatin botëror që Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë. E përsëris që mbetet një objektiv i vështirë, për t’u kthyer në rikonfirmimin e Silvinjos dhe stafit të tij padyshim që ka qenë fryt i punës së tij, stafit, përkushtimit të tij dhe rezultatit. Në fund të fundit ishte e natyrshme që duhej të vazhdonin bashkë. Nuk mund të ndërpritet një marrëdhënie suksesi”, tha Armand Duka.
Duka nuk i ka vendosur objektiva me kushte kombëtares apo stafit. Ai kërkon impenjim maksimal pasi rezultatet do të vijnë.
“Edhe Nations League është një kompeticion shumë i vështirë. Është një kompeticion me katër skuadra të nivelit të barabartë, ku secila nga skuadrat mund të dalë në vendin e parë ose e fundit. Objektivi ynë madhor mbetet Botërori. Fatmirësisht apo fatkeqësisht tani edhe ndeshje miqësore ka shumë pak. Të gjitha ndeshjet janë gara, janë kompeticione, pra duhet të kolaudohesh, adaptohesh ose rinovohesh edhe duke tentuar rezultatin”, tha Duka.
UEFA i ka besuar Shqipërisë organizimin e disa eventeve kontinentale në futboll dhe kjo ka shtuar ambiciet e FSHF. Në bashkëpunim me Federatën Serbe të Futbollit, Shqipëria ka hedhur kandidaturën për finalet e Europianit të 21-vjeçarëve në 2027. Një event i madh, por që ka ngjallur edhe reagime.
“E para benefit sportiv është që ekipi jonë i U21 është pjesë e finaleve të europianit, por edhe infrastruktura sportive në Shqipëri ndryshon. Është një benefit tjetër. Bashkëpunimi i Shqipërisë me Serbinë i jep një shans më shumë për ta pasur këtë kampionat në Shqipëri sepse merret si një mesazh përtej sportit. Padyshim që ka opinione negative pse ne me Serbinë. Padyshim janë ndonjëherë edhe të arsyeshme ndonjëherë edhe emocionale, por ne duhet të mendojmë dhe tejkalojmë këto. Kush më mirë se futbolli mund të japë mesazhe paqeje, solidariteti dhe bashkëpunimi”, tha Duka.
Shqipëria po kthehet në vëmendjen e UEFA-s, e cila të martën e kësaj jave vendosi që të organizojë në Tiranë mbledhjen e komitetit ekzekutiv.
Tv Klan