Pas një sërë akuzash nga politika, kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se epokës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundit.

“Ka treguar se është në gjendje në respektim të ligjit dhe kushtetutës të kryejë hetime të plota dhe tregojnë se pandëshkueshmëria po goditet dhe epoka e paprekshmërisë po lëkundet. Epokës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi”, tha Altin Dumani.

Gjatë tryezës për drejtësinë, drejtuesi i SPAK theksoi se besimi ndaj institucionit që ai drejton është rritur. Dumani theksoi se ndikimet e jashtme nuk do të ndikojnë në punën e Prokurorisë së Posaçme.

“Mesazhi është i qartë se krimi nuk mund të blejë dhe as shpërblejë. Besimi te reforma në drejtësi po rritet, qytetarët janë të ndërgjegjshëm se të gjithë vijnë pas ligjit, sfidat vazhdojnë. Duhet të keni besim te integriteti i prokurorëve të SPAK, proceseve. Ndikimi i jashtëm nuk do ndikojë në misionin dhe hetimet tona ndaj këtyre proceseve”, tha Dumani.

Dumani theksoi se lufta ndaj korrupsionit ndodhet në fazë të re. Gjithashtu drejtuesi i SPAK deklaroi se është rritur numri i procedimeve të veprës penale pastrimit të parave.

Nënrkyetari i Gjykatës së Posaçme, Erjon Bani, bëri të ditur se, pavarësisht mungesës së stafit, janë përballur 99% e dosjeve.

“Në 2020 ishin mbi 2000 vendime, teksa në 2024 kemi mbi 3585 vendime. Kur kemi pasur edhe mungesa gjyqtarësh. Kemi dhënë 3585 vendime gjatë vitit 2024, me gjysmë kapacitetesh. 99% e çështjeve janë përfunduar. Ndryshe nga të gjitha gjykatat e tjera, nuk krahasohet volumi dhe cilësia”, tha Erjon Bani.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato theksoi se do të vijojë bashkëpunimi me SPAK dhe organet e drejtësisë. Diplomati kërkoi që të ruhet pavarësia e gjyqësorit.

“BE do të vazhdojë bashkëpunimin me SPAK dhe me organet e tjera të drejtësisë. Duhet që të keni besim tek arkitektura e reformës në drejtësi. Llogaridhënia e institucioneve shtetërore dhe pavarësia e drejtësisë qëndrojnë në thelb të çdo shoqërie demokratike. Kemi parë rezultate në luftën ndaj korrupsionit, krimit të korrupsionit dhe atij kibernetik e financiar”, tha Silvio Gonzato.   

Gonzato gjithashtu theksoi se llogaridhënia dhe pavarësia qëndrojnë në thelb të çdo shoqërie demokratike.

Klan News