Shqetësimi i kreut të SPAK-ut, Altin Dumani se institucionet publike nuk referojnë në kuadër të luftës kundër korrupsionit rastet e konstatuara mori edhe vëmendjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian.
“Evidentohet një rënie prej 40% krahasuar me vitin 2022. Këtu bën përjashtim Policia e Shtetit që ka ruajtur trend të njëjtë dhe vazhdon të jetë aktive, institucionet e tjera kanë rënie.”
Por kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Bledi Çuçi shqetësimit të Dumanit i solli për referencë konstatimet e Progres-Raportit.
“Është shpejt për një institucion që ka tre vite të bëjë një analizë statistikore dhe duhet një bazë më e gjerë. Ky nuk ka qenë një shqetësim në Raportin e Progresit. Përkundrazi ka pasur një shqetësim lidhur me garantimin e një historiku solid për hetimet proaktive ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vetingut.”
Për Ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato sfida kryesore e gjyqësorit mbetet stoku i lartë i dosjeve të mbartura nëpër gjykata.
“Efikasiteti i gjyqësorit vazhdon të mbetet sfida kryesore sepse çështjet e mbartura në gjykata kërkojnë veprim të menjëhershëm. Ne kemi sjellë edhe rekomandime, si dhe nevojën për një udhërrëfyes dhe si të ulet numri i këtyre çështjeve të prapambetura dhe duke pasur parasysh edhe një rishikim nga homologë të BE-së në lidhje edhe me efikasitetin e drejtësisë”.
Kreu i prezencës së Bashkimit Europian në Tiranë theksoi gjithashtu nevojën urgjente për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Diskriminimin.
Tv Klan