A po planifikon Serbia të destabilizojë apo edhe të sulmojë ushtarakisht shtetet e saj fqinje Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën? Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe homologu i saj boshnjak Denis Beciroviç paralajmëruan së fundmi për këtë skenar.
Osmani tha në një intervistë televizive në shtator se kishte shpresë që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në BE dhe NATO, “por parakusht për këtë është ta trajtojmë Serbinë ashtu siç është: një shtet satelit i Rusisë, i cili thellon bashkëpunimin ushtarak, ekonomik dhe politik me Rusinë”, raporton DW.
Paralajmërimi i Beciroviçit për dëshirat territoriale të Serbisë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York ishte edhe më i fortë: “Nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dëshiroj të paralajmëroj publikun botëror se udhëheqja e Republikës së Serbisë kërcënon edhe një herë të cenojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës”.
Beogradi po armatoset
Në fakt Beogradi ka vite që po armatos masivisht ushtrinë e vendit me sisteme moderne armësh. Beogradi ka blerë avionë luftarakë francezë dhe helikopterë sulmues rusë, të cilët presidenti serb Aleksandar Vuçiç i quajti “tanke fluturuese”. Përveç kësaj menjëherë pasi Rusia sulmoi Ukrainën Pekini dërgoi në Serbi sisteme kineze kundërajrore. Po ashtu ka njoftime që Serbia ka blerë nga Irani mijëra dronë, të atij tipi që Rusia i përdor çdo ditë kundër qyteteve ukrainase.
Revista “The Economist” shkruante në vitin 2021 se “blerjet e armëve” nga Beogradi po i frikësojnë vendet fqinje. Kurse Instituti i njohur suedez për Kërkime për Konfliktet (SIPRI) deklaroi në vitin 2022 se buxheti i Beogradit për mbrojtjen është 1.3 miliard euro, pra dhjetë herë më i madh se ai i Kosovës.
Epërsia ushtarake e Serbisë ilustrohet edhe nga inventari i saj i tankeve. Me rreth 250 tanke, Serbia ka më shumë tanke se të gjitha republikat e tjera të ish-Jugosllavisë së bashku – për krahasim: ushtria gjermane, Bundeswehr, ka 295 tanke. Kroacia renditet në vendin e dytë me 75, Bosnja në vendin e tretë me 45, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 31. Kurse as Mali i Zi dhe as Kosova nuk kanë tanke.
Kjo është ndoshta një nga arsyet pse Forcat e Armatosura të Kosovës u pajisën vitin e kaluar me drone turke “Bayraktar” dhe këtë vit me 250 raketa amerikane antitank Javelin.
Projekti për një botë serbe
Shtrohet pyetja pse Beogradi ka grumbulluar një arsenal të madh armësh ndër vite pa pasur kërcënim nga fqinjët e tij. A po bën presidenti Vuçiç plane për të sulmuar vendet fqinje, siç paralajmëroi presidentja e Kosovës?
Të paktën kështu sugjerojnë deklaratat, kërcënimet dhe veprimet e udhëheqjes serbe në Beograd. Ajo propagandon projektin e “Botës Serbe”, një version pasardhës disi i zvogëluar i “Serbisë së Madhe” të ish-presidentit serb Slobodan Millosheviç, duke ndeshur kështu në rezonancë me serbët në vendet fqinje, në Kosovë dhe Bosnjë.
/DW