Presidentja Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.

Osmani dhe Kurti kanë vënë kurora lulesh pranë lapidarit kryesor në këtë kompleks përkujtimor, aty ku dhe janë të vendosura të gjithë emrat dhe fotografitë e 45 civilëve të vrarë nga forcat serbe, më 15 Janar të vitit 1999, në fshatin Reçak.

Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga kufomat e masakruara.

“Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time.” Lajmi i masakrës senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të Natos në Serbi”, pati deklaruar Walker.

Osmani dhe Kurti do të marrin pjesë dhe në akademinë përkujtimore që do të mbahet në komunën e Shtimes për të nderuar viktimat e këtij genocidi./Klan Kosova