Dy janë çështjet për të cilat Partia Socialiste do të kërkojë mocion për shkarkimin e kryetares së kuvendit Jozefina Topalli, imuniteti i ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu si dhe dekretet e presidentit Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Në të dyja rastet kryeparlamentarja akuzohet nga selia rozë se po krijon vonesa të qëllimshme si dhe po shkel rregulloren e kuvendit. Për këtë qëllim ligjvënësit socialist vendosën të ngrejnë një grup ekspertësh që do të punojnë për përgatitjen municionit.
Valentina Leskaj: “I cili po shqyrton përshtatshmërinë le të themi ligjore dhe konstitucionale të veprimeve të saj lidhur me këto 2 çështje. Pra me çështjen e imunitetit të ministrit e cila është e pa tolerueshme, e pajustifikueshme sepse nuk ka vend në botë që do të mblidheshin komisionet të diskutonin në mënyrë burokratike të numëronin faqe dokumentesh, ndërkohë që janë vrarë njerëz për t’i hequr imunitetin. Po ajo që ne na bën përshtypje është fakti i heshtjes së kryeministrit”.
Gazetarja: “A i ka bërë llogaritë PS që mocioni të mund të jetë fitues ndaj kryetares së kuvendit. T’ju kujtoj 2 mocionet e para”.
Valentina Leskaj: “Ky është siç ju thashë, është një mocion politik dhe nuk është çështje llogarish. Unë besoj në radhë të parë është çështje standardesh, është çështje morali që duhet të ketë secili politikan në raport me detyrën që kryen”.
Grupi ka nisur funksionin që prej ditës së hënë 2 qershor. Ndonëse nuk u dha asnjë afat se kur do të depozitohet në kuvend kërkesa për mocion. Duket se emergjenca që kanë të 2-ja çështjet do të përshpejtojë procesin./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi