2 vjet më parë, Ish-Presidenti amerikan George Bush u bë kreu i parë amerikan i shtetit që vizitoi Shqipërinë, duke e kthyer këtë vizitë në një ngjarje historike dhe kulmore në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Presidenti Bush u prit në aeroport nga figurat më të larta të shtetit. Ai u takua me ish-presidentin Alfred Moisiu nga i cili u dekorua me Urdhrin e Flamurit, medalja më e lartë shtetërore.
Më pas kreu amerikan i shtetit pati një takim miqësor dhe tepër të ngrohtë me kryeministrin Sali Berisha.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, presidenti Bush dha garancinë se pavarësia e Kosovës tanimë ishte e pashmangshme.
George Bush: “Mjaft! Kosova do të jetë e pavarur!”.
Bush shprehu mbështetjen e tij të fuqishme edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO duke thënë se vendi tij ka dëshirë të thellë ta shohë Shqipërinë në aleancën veri atlantike. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe përshëndeti progresin e Shqipërisë
George Bush: “Dhe Shqipëria ka punuar shumë për të arritur standardet e anëtarësimit të NATO-s. Në qoftë se Shqipëria duhet të hyj në NATO, standardet duhet të arrihen. Pra i bëj thirrje të gjithë politikanëve në Shqipëri, duke përfshirë dhe opozitën që të marri të gjitha hapat e duhura për të ndihmuar Shqipërinë, për të hyrë në NATO dhe për të qenë një aleate në NATO”.
Kryeministri Berisha e cilësoi vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri si një ditë historike. Ai e siguroi presidentin Bush se Shqipëria dhe populli i saj do të vazhdojë të jetë aleate e SHBA-së dhe se do të aderojë dhe më tej trupa shqiptarë në luftën globale kundër terrorizmit.
Sali Berisha: “Ju siguroj se do të jenë me ju ku të ketë nevojë për të dhënë ndihmesën e tyre të vogël modeste, por të vendosur, kundër terrorizmit ndërkombëtar, këtij armiku më të rrezikshëm të popujve të lirë”.
Ndalesa e radhës e presidentit Bush në Shqipëri ishte Fushë Kruja, ku kreu i shtëpisë së bardhë është pritur si një hero
Në orën 17:30 minuta presidenti Bush u largua nga Shqipëria duke lënë pas dy zotime të mëdha për shqiptarët e Kosovës, pavarësinë e sigurt. Ndërsa për Shqipërinë, integrimin e shpejtë në NATO. Vizita historike e presidentit Amerikan pavarësia e Kosovës dhe integrimi i Shqipërisë në NATO, u paralajmërua pothuaj dy javë para ardhjes së Bush në vend, gjatë intervistës së parë ekskluzive të dhënë për drejtorin e informacionit të TV Klan Andi Bejtja, pikërisht në Shtëpinë e Bardhë./tvklan.al