Motorët e zhvillimit të ekonomisë shqiptare janë ndezur dhe po funksionojnë, përkundrejt një klime të trazuar në ekonominë rajonale dhe më gjerë.

Shifrat më të fundit të prezantuara nga Kryeministri Berisha flasin për dyfishim të eksporteve shqiptare gjatë muajit të parë të këtij viti, ndërkohë që arritëm në nivelin e 3.5 miliard lekëve.

Sali Berisha: “Konsiston në dyfishimin e eksporteve Made in Albania në janarin e këtij viti krahasuar më janarin e vitit 2009 dhe rritjen e ndjeshme të rieksportove. Në janarin e vitit 2010 eksportet shqiptare në tonazh nga 52 mijë që ishin, rriten në rreth 103 mijë, por rritja në tonazh ndjek rritjen në vlerë. Kjo është rritja më e madhe, më e paparë ndonjëherë, çka dëshmon, se ekonomia shqiptare nis me një start të pa precedent”.

Komentet u bënë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kreu i ekzekutivit tha se institucionet ndërkombëtare po projektojnë vendin tonë, me një rritje prej 9% gjatë vitit 2010 dhe kjo është rezultati i konsolidimit të reformave ekonomike.

Sali Berisha: “Sipas vlerësimit të kësaj bankë ndër më kryesoret në Evropë dhe kjo është Banka Unicredit. Shqipëria këtë vit do të ketë një rritje rreth 9%”.

Rritje gjatë janarit ka njohur edhe industria fasone, rieksportet me rreth 18%, çka sipas Kryeministrit Berisha është një garanci më tepër për rritjen e punësimit./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro