Mesditën e sotme dy ukrainase, përkatësisht 25-vjeçarja Antonina Kozachenko dhe 40-vjeçarja Anastasia Lopukhova janë gjetur të pajeta nga shoqja e tyre në një banesë në zonën e quajtur “Selvia” tek “Rrugën e Dibrës” në kryeqytet.

Sipas asaj që raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, 3 vajzat nga Ukraina kanë ardhur në kohë të ndryshme në Shqipëri. Dy viktimat kanë ardhur rreth një javë më parë në vendin tonë, ndërsa shoqja e tyre ka ardhur rreth 2 muaj më parë.

Ndërkohë gazetari bën të ditur se në një banesë në katin e tretë në rrugën e Dibrës qëndronin të treja prej një jave ku kishin bërë rezervimin dhe pagesën. Faturat dhe pagesat janë vënë në dispozicion nga pronari i banesës.

Sipas policisë tre vajzat kanë konsumuar ilaçin “Xanax” dhe “Tramadol” për disa orë, deri sa kanë rënë në gjumë. Dy vajzat 25 dhe 40 vjeçe nuk janë zgjuar, dhe e vetmja që u zgjua ishte shoqja e tyre e cila njoftoi policinë.

Grupi hetimor është duke kryer verifikime për sa i përket aktivitetit të tyre në vendin tonë. Sipas burimeve të policisë, ka dyshime të arsyeshme që ishin punonjëse seksi./tvklan.al