Një person ka ndërruar jetë në vendin e tij të punës në Shëngjin. Burime për gazetarin Martin Marku bëjnë me dije se viktimë ka mbetur Preng Gjoni, 50 vjeç.

Policia thotë se atij i ka rënë një dërrasë në kokë duke i shkatuar plagët që i morën jetën.

“Rreth orës 13:30, gjatë punës në një objekt në ndërtim, shtetasit P. Gj., 50 vjeç, dyshohet se i ka rënë një dërrasë druri mbi kokë dhe për pasojë ai ka humbur jetën në spital”, tha policia.

Ai u dërgua në spital me makinë private dhe pasi kanë lënë viktimën, personat që e sollën janë larguar menjëherë. Aktualisht në kantierin e ndërtimit ku dyshohet se vdiq Gjoni nuk ka asnjë njeri, sipas burimeve të gazetarit Marku.

Ndërsa policia thotë se ka shoqëruar 2 punonjës ku po punonte viktima.

“Ndërkohë janë shoqëruar në ambientet e Policisë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dy shtetas që ishin duke punuar në objektin ku humbi jetën 50 vjeçari”, njoftoi policia.

Policia po vijon hetimet në lidhje me këtë aksident tragjik. Ky është viktima i dytë në harkun kohor të 3 ditëve, pasi një 28-vjeçar humbi jetën pasi ra nga lartësia e një pallati në ndërtim në Shëngjin./tvklan.al