#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#Veko # verber # histori #dashuri # tvklan #arditgjebrea # jete #shoqe #megilatifi #radiotirana

Humbi shikimin dhe u rrit jetime, historia e Vekos: Nënën s’e njoha, babain e takova kur isha 17 vjeçe

“Ka Një Mesazh Për Ty” nisi me një bisedë ndryshe mes protagonistes, Vekos dhe moderatorit të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas. Ky i fundit i përshkroi fillimisht studion e ideuar nga mjeshtri Gaetano Castelli, publikun e dashur e më pas pamjen e tij ku nuk i kurseu disa batuta.

E gjithë kjo sepse Veko nuk mund të shohë. Historia e saj nuk është aspak e lehtë dhe jo vetëm prej gjendjes, por edhe ngjarjeve që kanë shoqëruar jetën e saj. Veko lindi në vitin 1984 në fshatin Dodovec në Berat, nga një nënë që s’e njohu dot kurrë dhe një baba që e takoi kur ishte 17 vjeçe.

Veko: Kam lindur me shikim të kufizuar, qoftë edhe me shikim 0, pra nuk arrij të shikoj asgjë, por arrita përmes intuitës, përmes shkollës, përmes punës që të bëhem pjesë e kësaj Tirane të madhe dhe e formësova jetën time.

Ardit Gjebrea: Po ti më trego pak për prindërit e tu.

Veko: Në fakt, nënën time nuk arrita ta njoh. Babain tim arrita ta njoh kur isha 17 vjeç, kreva shkollën 8-vjeçare te instituti…

Ardit Gjebrea: Po pse, deri 17 vjeç ku u rrite?

Veko: Unë jam rritur në fakt sa te instituti që shkollohesha dhe pushimet verore, pushimet e Vitit të Ri i kaloja në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë.

Në moshën 6-vjeçare, Veko u njoh me Mondën dhe Maksimin që bënë gjithçka për të, i përgjigjeshin pyetjeve të saj të pafundme që sot janë pakësuar dhe u përpoqën të gjenin familjen biologjike të Vekos.

Ajo arriti të takonte të atin dhe dy motrat, si dhe mësoi më shumë për emrin e saj. I ati e kishte dashur kaq shumë nënën sa e kishte quajtur Ervehe. Pamundësia ekonomike bëri që Veko të përfundonte në jetimore dhe më pas u shkëputën gabimisht, por palët nuk i reshtën përpjekjet për t’u rilidhur.

Shikimin Veko e humbi rreth moshës 2-3 vjeçare për shkak të një djegieje dhe pavarësisht provave për ta rikthyer, ishte e pamundur.

Ardit Gjebrea: Po ti kështu ke lindur, me pamundësinë për të parë?

Veko: Jo, nuk kam lindur kështu. Kam pësuar një djegie, kështu flitet.

Ardit Gjebrea: Kur ishe e vogël?

Veko: Po, kur isha e vogël. Teta Monda dhe xhaxhi Maksi pastaj u përpoqën shumë dhe një njeri tjetër që unë nuk do të harroj ta përmend sa të kem jetën time është doktoresha Xhanet Gudoll e cila ka qenë pediatre dhe jeton në Angli. Sot është 94 vjeçe. Mundësoi që unë të shkoja në Angli dhe të rregulloja disi atë dëm që ishte bërë.

Ardit Gjebrea: Sa vjeçe ishe, apo ishe muajshe?

Veko: 2-3 vjeçe kur ndodhi kjo.

Ardit Gjebrea: Dhe që nga ai moment ti nuk pe më.

Veko: Jo.

Humbi shikimin në moshën 2-vjeçare, Veko u bë nënë me “in vitro”: Xhana, Përgjigjja e lutjes sime!

Veko ia ka dalë që mes gjithë sfidës së të jetuarit pa shikim, të përçajë në Tiranën e madhe, të zhurmshme, të shkollohet, të punojë duke drejtuar programe radiofonike dhe të bëhet nënë.

Historia e saj në “Ka Një Mesazh  Për Ty” është shumë frymëzuese sepse ajo tregon që pavarësisht humbjes së shikimit rreth moshës 2-vjeçare, ia ka arritur edhe të jetojë vetëm, të gatuajë duke kuptuar nxehtësinë e sobës apo ujin që zien, të kujdeset për të bijën.

Xhana është 2 vjeçe dhe është përgjigjja e lutjes së saj, e realizuar falë mjekësisë. Por një pyetje nga moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan e zë paksa në befasi.

Veko: Unë e përkëdhel, i ndiej aromën, flas e qesh me të, e laj, e ndërroj. Kur shohin foton e mamasë sime, thonë që Xhana i ka ngjarë shumë sepse unë i kam ngjarë shumë mamasë sime.

Ardit Gjebrea: Xhana babin e vet?

Veko: Në fakt…ishte pyetje bombë kjo!

Ardit Gjebrea: Pse?

Veko: Nganjëherë gjërat nuk ecin ashtu siç duam ne. Domethënë, unë arrita deri diku që t’i bëja rrethanat për vete, por një burrë nuk arrita ta bëja për vete. Kalova një marrëdhënie goxha të gjatë, 8-vjeçare, por dashuria ndonjëherë është e papritur, është e çuditshme siç e dinë të gjithë. Marrëdhënia jonë u ndërpre. Atëherë vendosa, iu luta Zotit sikur ta kisha edhe unë një fëmijë. Ia besova mjekësisë. Xhana është me “in vitro”.

Ardit Gjebrea: Dhe me atë historinë 8-vjeçare s’ka më lidhje tani?

Veko: Jo, jo.

Ardit Gjebrea: Mbaroi, aq ishte.

Veko: Ka mbaruar.

Ardit Gjebrea: Ndonjë histori e re në horizont?

Veko: Jo, nuk e mendoj ta ndaj Xhanën me dikë tjetër, s’e mendoj dot.

Ardit Gjebrea: E nëse vjen?

Veko: Kur s’erdhi… s’ka për të ardhur.

Ardit Gjebrea: Kurrë mos thuaj kurrë.

Veko: Këtu themi kurrë.

Nuk e ka ditur kurrë si duket, përshkrimi i Ardit Gjebreas bëhet ‘pasqyrë’ për të verbrën

Veko ka jetuar përgjatë gjithë jetës së saj pa e ditur kurrë sesi duket. Ajo nuk mund ta shohë veten në pasqyrë, nuk mund të shohë si duken njerëzit rreth saj, qiellin e kaltër a të vranët apo studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Por janë të tjerët që e shohin Vekon dhe nga rrëfimi i saj në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo ka arritur që të lërë gjurmën e saj te ta përmes këmbënguljes, dëshirës për të vazhduar përpara, për t’u shkolluar, për t’ia dalë mbanë e deri të bëhet nënë e vetme e një vajze të lindur me fekondim artificial.

Duke u kthyer pas në kohë, Veko kujton si i kërkoi një shoqeje në gjimnaz ta përshkruante, por më pas as nuk donte ta dëgjonte më. Sot ajo i kërkon moderatorit Ardit Gjebrea që ta bëjë këtë gjë dhe ai afrohet drejt saj për të përshkruar atë çfarë është e dukshme.

Ardit Gjebrea: Flokët i ke shumë të bukur, fillojmë nga flokët.

Veko: Faleminderit! Nuk i kam të lyera, nuk i kam extension.

Ardit Gjebrea: Ke një buzëqeshje shumë të bukur.

Veko: S’e di.

Ardit Gjebrea: Ke një hundë pipiruqe. Ke një trup goxha elegant.

Veko: Në fakt unë ha shumë, shumë por nuk shëndoshem shumë, shumë. Kjo është gjë e mirë!

Ardit Gjebrea: Lum si ti! Ky është problemi im i madh! Dhe mbi të gjitha, ke një shpirt shumë të bukur!

Veko: Faleminderit!

Ardit Gjebrea: Që nuk do shumë kohë për ta kuptuar!

Veko: Nuk më ka përshkruar njeri kështu!

Ardit Gjebrea: Nuk e di nëse ia mbërrita dot që ta shohësh veten në pasqyrë me përshkrimin tim, por  u mundova.

Të shohësh me sytë e zemrës, Veko surprizon vajzën që s’ia lëshon dorën: Më ka bërë njeri më të mirë

Veko i ka besuar Megit që të jetë njeriu që i mban dorën kur ajo hedh hapat ndërsa në sytë e saj ka errësirë. Megi nuk është motra apo ndonjë e afërme, është një shoqe që jeta ia dhuroi për të pasur pranë dikë që gjendet aty pa hezitim, gjithnjë e gatshme për ta ndihmuar e për të besuar fort tek ajo.

Veko rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” për rëndësinë e Megit në jetën e saj, si ajo e ndihmoi të përshtatej në ambientet e televizionit, të fitonte pavarësinë kur dilte për të bërë pazare apo për t’u kujdesur për vajzën, Xhanën.

Me të hyrë në studion e së “Dielës Shqiptare”në Tv Klan, Megi gjendet para dilemës se kush e ka ftuar dhe sapo sheh fytyrën e Vekos në ekran, sytë i mbushen me lot.

Megi: Është njeriu më i rëndësishëm në aspektin shoqëror në jetën time! Veko më ka treguar se çfarë do të thotë të jesh njerëzor, çfarë do të thotë t’i duash njerëzit pa asnjë interes dhe këtë gjë e bënte çdo ditë. Unë kam qenë shumë e vogël kur e kam njohur Vekon dhe jam shumë e lumtur.

Po kaq me fat sa Megi është edhe Veko që i drejton mesazhin prej zemrës.

Veko: Me gjithë emocionet e mia… Megi, unë të falenderoj për gjithçka që ti ke dhënë nga zemra jote për zemrën time, për pavarësinë time në radio, ne kemi realizuar emisione shumë të bukura. Unë të falenderoj për çdo bashkëpunim që ne kemi pasur së bashku dhe do ta kemi. Për atë lirinë që unë fitova  të lëvizjes sime në radio dhe i tregova publikut dhe Arditit për eksperimentin që ne kemi bërë edhe që unë të lëvizja, të bëja pazare dhe këtë ma besove ti. Unë të falenderoj Megi që të njoha dhe që u bëre shumë shpejt motra ime. Unë të dua shumë!

Veko: Misioni i vetëm që ne kemi tani me Vekon është të rrisim Xhanën. Ne e kemi mbështetur që në momentin e parë kur ajo kishte dëshirën që të bëhej nënë, pavarësisht se kishte shumë njerëz që nuk e besonin. Unë besoj shumë te Veko, besoj te forca e saj dhe te dëshira për ta parë jetën në formën e saj. Unë mendoj që ne njerëzit që shikojmë, shumë gjëra nuk i vlerësojmë në jetën tonë. Veko i ka vlerësuar gjithmonë dhe unë jam shumë e lumtur, nuk e kam shkëputur asnjëherë afër vetes sepse më ka bërë mua njeri më të mirë.

Veko ka rezervuar edhe një surprizë tjetër për Megin. Në studio bashkohet Xhana, vajza e Vekos, një vogëlushe si dritë që përqafon menjëherë Megin e më pas të ëmën duke mbyllur gjithçka me shumë emocion.

/tvklan.al