#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
#edielashqiptare #arditgjebrea #program #oneda #zamira #kunata #martese #model #shembull # mirenjohje # sfideshendetesore
“E adhuroja, doja t’i ngjaja”, Oneda shprehet plot admirim për kunatën: Njeriu perfekt!
Historia e dashurisë së Onedës ka nisur që në moshën 15-vjeçare dhe sot vijon ende. Por nuk është bashkëshorti ai që e ka sjellë në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ajo ka ardhur posaçërisht për kunatën, Zamirën që i është gjendur gjithnjë pranë. Por përpara se të tregojë arsyen, ajo rrëfen në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan takimin e parë me Zamirën.
Takimi ndodhi kur babai i Onedës do të transferohej në Kamëz me punën e tij si polic dhe ajo e Flamuri do ta kishin të vështirë të shiheshin. Flamuri vendosi të njihej me familjarët e Onedës, por si fillim i kërkoi asaj që të takonte Zamirën dhe kështu lindi jo vetëm marrëdhënia e kunatave, por e dy shoqeve të ngushta.
Oneda: U futa në dyqan ku ajo punonte shitëse, menjëherë më përqafoi dhe fytyrën e saj, edhe sot e kësaj dite, madje duhet t’ia them me patjetër, e ka të njëjtë, me të njëjtën buzëqeshje, rrezatim dhe fjala e parë që më tha ishte “moj, e di që vëllai im është shumë nevrik?”, unë qesha. Edhe ai qeshi, edhe kështu e kaluam.
Ardit Gjebrea: Ti si e njihje, si nevrik apojo?
Oneda: Po tani, nervat deri në atë kohë nuk ia dinim tamam njëri-tjetrit ne, por…
Ardit Gjebrea: Po më pas i dolën?
Oneda: I dolën, i dolën.
Në moshën 19-vjeçare, Oneda u bë nusja e shtëpisë. Gjithçka ishte e re për të që nga ndryshimi i ambientit e deri te punët e shtëpisë që thuajse nuk i njihte. Në çdo hap, pranë saj gjendej Zamira. Oneda uron që t’i ngjajë kunatës sepse e cilëson si njeriun e përsosur.
Oneda: Fytyra e Zamirës ishte po e njëjtë me mua. Ndoshta sepse ajo kishte kaluar pak a shumë të njëjtën gjë si puna ime dhe ajo në moshë të re ishte martuar, ishte bërë nënë, me një shtëpi më të madhe se ajo ku ishte, akoma më të madhe se ajo që gjeta unë dhe me thënë të drejtën, vetëm më jepte guxim, më përkrahte, më merrte pas vetes. Linte punët e veta, djalin e vet që e kishte të vogël dhe gjithmonë vinte aty. Ndoshta nuk kishte nevojë të ma shprehte me fjalë që shiko Neda, bëj kështu ose ashtu, por thjesht më ngrohte, më mbante shumë afër.
Ardit Gjebrea: Prezenca e saj ishte një ngushëllim, ishte një siguri për ty.
Oneda: Ishte një ngushëllim sepse nuk më gjykonte, thjesht thoshte çdo gjë është me kohën.
Ardit Gjebrea: Pse duhet të të gjykonte? Kishte ndonjë tjetër që të gjykonte ty?
Oneda: Po tani, edhe gjykoheshim sepse isha nusja e vetme e shtëpisë, sytë ishin pak a shumë tek unë. Kështu vazhdoi. Pas një viti unë linda vajzën e madhe, Grejsin. Edhe atë, kur them sot, e kam marrë si lojë, nuk e merrja dot aq shumë seriozisht. Ama me dëshirën më të madhe, Zamira ishte aty akoma për mua dhe në momentet e fundit ajo qante, unë thosha pse qan Zamira, ajo e dinte dhe unë s’e dija çfarë më priste dhe prapë më ngushëllonte në mënyrën e saj. S’ma ka lëshuar dorën një moment. Edhe mbrapa, unë s’dija ta laja, ta vishja, kisha frikë, tamam një fëmijë edhe unë vetë. Linte punën se ishte në punë gjatë gjithë kohës, familjen e vet, vinte aty tek unë, vrap te shtëpia, vrap tek unë, vrap te mbesa e vet. E shikoja dhe thosha dua të bëhem si Zamira. Me një zemër aq të madhe, nuk lodhej se tani njeriu edhe lodhet ndonjëherë, thotë e di si është puna, kam të miat sa të duash që kam çfarë bëj. E shkathët, me një logjikë të paparë. Njeriu kur logjikon aq mirë, edhe gjërat shkojnë mirë mbrapa. Këtë e kam adhuruar gjithmonë tek ajo të them të drejtën dhe kam shpresuar të bëhem si ajo. E kam adhuruar gjithmonë me vëmendje dhe kam marrë shumë gjëra nga ajo.
Ardit Gjebrea: Për shembull? Diçka që nuk e kishe dhe që e ke tashmë.
Oneda: Kam rritur shumë durimin. Kam mësuar që mund të bëj shumë gjëra brenda ditës dhe të them ej, ia dola edhe sot. Ndoshta mund të duken gjëra të thjeshta, por kanë rëndësinë e duhur. Kam mësuar shumë që të jem si ajo dhe të mendoj që njerëzit, gjithsecili, ka atë mendimin e vet, logjikën e vet dhe kur i lë ta shprehin, ta thonë dhe kuptohemi me njëri-tjetrin, ndodh që mos të kemi keqkuptime e debate.
Ardit Gjebrea: Çfarë është një gjë që e ke ti dhe nuk e ka ajo?
Oneda: Jo, jo për mua është perfekte.
Historia e kunatave që duhen si motra: Dua që vajza ime të bëhet si ti!
Emocione të bukura dhe të sinqerta sollën Oneda dhe Zamira, dy kunatat që erdhën në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Nisur nga një sfidë shëndetësore e Zamirës, por edhe nga marrëdhënia e ngushtë, miqësore dhe plot dashuri mes tyre, Oneda vendosi ta surprizonte kunatën në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Ajo i shpreh gjithë admirimin e saj dhe falenderimin për mbështetjen e pakursyer që i ka dhënë në këto 14 vite.
Oneda: E kisha ëndërr të të sillja njëherë kështu, përpara të gjithëve dhe në mënyrën më të mirë, para Arditit për të të thënë sa e rëndësishme ke qenë për mua gjithë këto vite dhe vazhdon të jesh. E para, ke qenë shembull dhe kam ëndërruar të jem sa gjysma jote, nuk e di a jam…
Zamira: Jo, jo, mos e thuaj!
Oneda: Por uroj që të bëhem në të ardhmen. E dyta, je një hallë dhe një motër për mua, shumë, shumë e mirë. Faleminderit që ke qenë gjithë këto kohë pranë meje, më ke mbështetur, ke qarë hallet, më ke kuptuar dhe ke ndarë edhe ato ditët e bukura të pushimit gjithmonë me mua dhe gocat e mia. E treta që dua të them, është që unë e di që ti je mërzitur këto kohë, edhe pse nuk e shpreh. Dua ta ndryshosh se s’bën këtë gjënë që të shprehesh çfarë ke brenda gjithmonë dhe të bëhesh e fortë ashtu siç je vetëm ti, ashtu siç di ta përballosh vetëm ti dhe Gersa, mbesa e vogël që është edhe goca jote, jam kaq e lumtur që të ngjan dhe dua që të bëhet ashtu siç je ti.