#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
#tvklan #edielashqiptare #arditgjebrea #shqiperi #mesazh #hajdar #universal #motra #vajdie #fushekruje #amerike #kanada #lajmerim #funeral
11 vite pas njoftimit, ‘i vdekuri’ hyn në studio: Jam gjallë!
“Ka Një Mesazh Për Ty” nisi me lajmin e trishtë të një njoftimi vdekjeje. Sipas njoftimit të shfaqur në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Hajdar Lila ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare më 9 shtator 2013. Apo ndoshta nuk ndodhi? Në të vërtetë, Hajdar Lila vjen si protagonist i rubrikës dhe është shëndoshë e mirë!
Ardit Gjebrea: Hajdari ka ndërruar jetë në datën 9 shtator të vitit 2013. Kanë kaluar 11 vjet nga ndarja nga jeta e Hajdarit dhe ne sot do ta kujtojmë z. Hajdar duke e ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”!
Hajdar: O jam gjallë! Gjallë!
Ardit Gjebrea: Gjallë je? Po shyqyr! Si je? Mirë se erdhe!
Hajdar: Ta jap fjalën para gjithë këtyre se deri në vitin 2042 jam këtu! Do të festoj 100-vjetorin!
Ardit Gjebrea: Hajde ta festojmë bashkë!
Sajoi vdekjen e tij për 70-vjetor, Hajdari shtron planin e biznesit: Njërin varr do ta jap me qira
Hajdar Lila është një nga protagonistët më të pazakontë të rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Ai hyri me një njoftim vdekjeje nga pas në të cilin shkruhej emri i tij, por e vërteta është se gjithçka e kishte sajuar vetë.
Hajdari nisi të tregonte sesi emigroi në Greqi e më pas në Kanada ku ka bërë gjithfarë punësh, por në Shqipëri e riktheu një çështje pronësie. Ai dhe familja e tij kishin përfituar tokë nga ligji 7501 dhe u kthye për të marrë pjesën e tij. Vëllezërit ia caktuan pranë rrugës me mendimin se nuk vlente, por aty u bë plani i autostradës, çmimi u rrit dhe Hajdari përfitoi më shumë para se të gjithë.
Vëllezërit i mbajtën mëri për këtë, por 11 vite më parë kur do të festonte 70-vjetorin, Hajdari vendosi që t’i linte hatërmbetjet pas dhe t’i mblidhte të gjithë. Kështu, sajoi vdekjen e tij.
Hajdar: Erdhi koha që mbusha të 70-at dhe thashë po e hedhim gjithçka pas shpine dhe dua të bëj 70-vjetorin të gjithë në një vend, zëre se s’ka ndodhur asgjë, ua kam falur, ua kam bërë hallall. As nuk e mori mundimin as njëri, as tjetri fare, më erdhi kaq inat sa mos e pyet hallin duke u thënë që ore t’i kam bërë hallall, keni bërë, ç’keni bërë se vuajtjet ishin për mua, jo për ata, jo, vetëm nga inati sepse ti e more tokën nga atje, e shite dyfish u bënë për të plasur! Tri net kam ndenjur pa gjumë, thashë ç’të bëj, ku t’ia bëj, poshtë e përpjetë, thashë ia kam gjetur zgjidhjen. Mora tri fotografi pasaporte, shkova te funerali dhe i thashë atij të funeralit më ka vdekur vëllai, mund të ma bësh lajmërimin me vdekje? “Jo ne s’ta bëjmë se këtu qenke ti”, tha. Jo u thashë nuk jam unë, por vëllai im, ky quhet Hajdar Lila, ka lindur 5 minuta para meje, jam binjak me të, kurse mua më quajnë Nazif Lila. Ai e hëngri, bëri ato tri fletët e vdekjes.
Ardit Gjebrea: Dëgjo o Hajdar, po kur pe emrin tënd aty në lajmërimin e vdekjes, si u ndieve?
Hajdar: Kush, unë? Shumë i kënaqur!
Ardit Gjebrea: Çfarë thua?!
Hajdar: Po, po, po, shumë i kënaqur! Unë kam dy varre, bëra varrin e gjyshit në ’93-shin kur erdha prej Greqisë në fillim fare, e kisha gjallë dhe varrin tjetër që akoma s’kam dalë, e kam fotografinë këtu me vete, e kam bërë pasi më ka vdekur gruaja në 2016-ën dhe jam me dy varre, një në Krujë e një e kam në Tufinë. Varrin e kam bërë dykatësh, kam gruan dhe do të shkoj edhe unë te gruaja, por pas 18 vjetësh, kur të bëj 100 vjeç.
Ardit Gjebrea: Po dy varre ç’i do, një do njeriu…
Hajdar: Jo. Atë të Krujës do ta lëshoj me qira, një mijë lekë muaji, më lirë s’ka si bëhet, po m’i dha paratë, po s’m’i dha do ta lëshoj me qira.
Ardit Gjebrea: Pse, është në vend të mirë?
Hajdar: Në vend të mirë, të mrekullueshëm, mu në ballë të varrezave në Krujë, mu në ballë të parë, është vend i mirë.
Por a ndodhi pajtimi mes vëllezërve?
Hajdar: Kisha vënë lajmërimin që bëhet nisja për vdekje, po atë ditë që jam mbledhur për të shkuar për të bërë varrimin në Krujë dhe nuk më erdhi asnjeri fare, ka vdekur, punë e madhe fort, as për vdekje jo!
Ardit Gjebrea: Po ku i vure lajëmrimet ti?
Hajdar: Një e vura në Fushë-Krujë, një në Krujë dhe tjetrin te “Fresku”, aty ku rri.
Ardit Gjebrea: Po ndoshta nuk e kanë parë ata…
Hajdar: Jo ore e kanë parë shumë bukur, si s’e kanë parë! Po të tjerët që erdhën, shokë e qysh tek, plus të tjerë, nga familja ime asnjë!
“Na hape punë, të duhet një nuse!” Hajdari i nxjerr hudhrën Gjebreas: Më merr mësysh!
Gjatë momentit të surprizës ndaj motrës, Vajdies në “Ka Një Mesazh Për Ty” u zbuluan disa gjëra të reja për Hajdarin. Rrëfimi i tij për veten në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan la të kuptohej se ai udhëhiqet nga një dashuri e jashtëzakonshme për jetën dhe gjithçka e përballon me humor.
Përshkrimit të tij si “universal” iu shtuan edhe disa cilësi pasi Hajdari bën çdo gjë vetë, madje edhe gatuan byrek, japrak e së fundmi, reçel. Nisur nga kjo energji e pashtershme e tij, Gjebrea pati një ofertë për të.
Ardit Gjebrea: O Hajdar! Ti jeton vetëm, po?
Hajdar: Po.
Ardit Gjebrea: Kaq simpatik sa je…
Hajdar: Ça simpatiku! Unë jam bërë për varreza, kam arkivolin, të lutem mos më bëj me nerva! E kam arkivolin në kurriz!
Ardit Gjebrea: Tani do të na hapësh punë se kaq simpatik sa je, të gjitha punët i bën, kaq universal, të duhet dhe një nuse?
Hajdar: Na ka nxjerrë punë!
Ardit Gjebrea: “Po” thotë publiku. Prit, shiko zonjat e publikut, “po” thonë.
Hajdar: “Po” thotë publiku, por çfarë do të bëj unë se kur ta marr unë nusen, unë jam 82 vjeç, z. Ardit je i zgjuar, je i mençur, je i pashëm, je llokum, a ka ta marr më poshtë se 60-65 se nuk do e marr unë 50 vjeçe.
Ardit Gjebrea: Sigurisht, edhe 60 vjeç s’paske hiç pretendime po hë!
Hajdar: Po ja 60! A duhet ta marr të më bëjë hyzmet apo ta marr t’i bëj unë hyzmet asaj?
Ardit Gjebrea: Pse nuk i bën dot?
Hajdar: Sa të vij, më kanë filluar damarët e këmbëve, më ka filluar kërbishtja, shko në spital e ik te tjetri, kam dhimbje koke atëherë duhet të kthehem unë t’i bëj shërbim asaj. Të lutem shumë Ardit, mos më ngatërro!
Sekretin e tij të jetëgjatësisë, Hajdari ua atribuon qepëve e hudhrave që i konsumon çdo ditë. Madje jo vetëm i konsumon sepse nis të gërmojë në xhepa dhe nxjerr një hudhër duke i shpjeguar arsyen Gjebreas.
Ardit Gjebrea: Mos më thuaj që i mban… i mban me vete?
Hajdar: Bie mësysh se më merr mësysh ti! Urdhëro hudhra, ja!
/tvklan.al