#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #arditgjebrea#vella#moter#librazhd#salushe#mehmet#lefeterie#falenderim
Hyri në studio me një valixhe druri, Salushja rrëfen historinë pas saj
Salushja hyri në “Ka Një Mesazh Për Ty” me një valixhe druri që kuriozoi të gjithë të pranishmit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Ajo nisi të rrëfente se jeta nuk ka qenë fort e lehtë për familjen e saj. Kur Salushja ishte 7 vjeçe, babai ndërroi jetë nga një aksident në punë dhe la pas 4 vajza e një djalë.
Vëllai i Salushes asokohe ishte 24 vjeç dhe puna e tij ishte 6 orë larg nga shtëpia. Ai mori rolin e kryefamiljarit dhe u kujdes për të gjithë, fillimisht duke e shpërngulur familjen në një fshat një orë larg Librazhdit dhe më pas, duke u përpjekur t’i ofronte secilës diçka.
Ai u kujdes për dasmat e tyre, ndërsa Salushja dëshironte të studionte. Me shumë mund, ajo fitoi bursën e shkollës së mesme dhe sakrifica e vëllait ishte që ta merrte çdo javë me biçikletë për në shtëpinë e tij për ta ndihmuar me ç’të mundte ndonëse kushtet ekonomike ishin të vështira.
Salushe: Shkoja ndonjëherë te vëllai atje se kishim edhe shërbime, për t’u larë, për ndonjë gjë, shkoja se punonte magazinier në tregti, shkoja për t’i kërkuar ndonjë gjë, më vinte turp t’ia kërkoja se aq ishte. Më thoshte “pse erdhe?”, për qejf erdha i thoja, “do ndonjë gjë?”, jo jo, por e dinte se…
Ardit Gjebrea: Ajo “jo, jo” ishte “po, po”.
Salushe: Pasi mbarova shkollën e mesme, unë u fejova. Pastaj më bëri vëllai një dasmë që s’e kisha ëndërruar kurrë, me vello e me gjithë sa pati mundësi, me kolektiv.
Ardit Gjebrea: Tani më trego një çikë, kjo valixhja si e ka historinë?
Salushe: Me këtë valixhe kam shkuar 4 vjet në shkollë të mesme.
Ardit Gjebrea: Nuk kishe çantë?
Salushe: Nuk kisha çantë.
Ardit Gjebrea: Po ku e gjete këtë valixhe?
Salushe: Këtë valixhe ma ka sjellë vëllai me duart e veta.
Ardit Gjebrea: Të bëri vëllai këtë valixhe.
Salushe: Po.
Ardit Gjebrea: Dhe në këtë valixhe ti fusje librat, gjërat…
Salushe: Po se aty në konvikt i donim të gjitha, i mbyllnim aty se ashtu ishte koha atëherë. Aty në atë valixhe mbaja librat, gjërat personale, çdo gjë.
“Nusja jote më jepte rrobat e trupit”, motra i shpreh mirënjohjen vëllait dhe kunatës
Mehmeti, vëllai i madh i katër motrave, u desh që të merrte rolin e kryefamiljarit në moshën 24-vjeçare kur babai i tyre ndërroi jetë. Salushja e ndau historinë në “Ka Një Mesazh Për Ty” duke rrëfyer kujtimet e saj që i kishte ruajtur në valixhen e drurit që e solli në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Atë valixhe ia kishte bërë vëllai me duart e veta, të cilën Salushja e merrte në shkollë në mungesë të një çante por me dëshirën e madhe për t’u shkolluar. Vëllai dhe bashkëshortja e tij, Lefteria, sakrifikuan tepër për të dhe sot ajo i ka ftuar për t’u shprehur mirënjohjen e pakufijshme.
Salushe: Vëlla! Faleminderit shumë që nga dita që na ka vdekur babai e deri më sot ti je kujdesur për mua njëherë në veçanti, për çdo gjë, çfarë nevoje kam patur unë, ti ke qenë gati.
Mehmet: E kam patur për detyrë.
Salushe: Jo. Ti më çove në shkollë, më dhe edukatën, më dhe dijen, më dhe kulturën, më dhe çdo gjë. Ti më martove, më nxore nuse me fustan të bardhë edhe pse s’kishe, me gjithë nusen tënde. Ajo hoqi rrobat e trupit të vet dhe m’i dha mua, më çoi në shkollë të mesme.
Mehmet: Po, e vërtetë. S’kishte, ishim fukarenj.
Salushe: Je kujdesur për çdo gjë, edhe gjënë më të vogël thoshe “çfarë do, çfarë të mungon?” Vija për 5 lekë dhe nuk ta thosha se më vinte keq nga ajo që s’kishim, ashtu ishte koha. Ishim jetimë, na rrite e na edukove e çdo gjë.
Mehmet: Rrofsh, faleminderit shumë!
Salushe: Jam mirënjohëse gjithmonë për ju të dy! Edhe sot që unë jam mosha e tyre me tre kalamaj që i kam të rritur, të martuar, jam me nipër, edhe sot e kësaj dite ti vjen te unë për çdo hall që kam unë.
Mehmet: Motër!
Salushe: Për çdo gjë që kam unë ti je gati.
/tvklan.al