Seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar u shoqërua me debate e replika të forta mes dy kampeve lidhur me projektligjin e shumicës për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale.

Opozita e ka cilësuar procedurën e përshpejtuar që u ndoq për futjen e këtij ligji në seancë plenare në shkelje të rregullores, por dhe Kushtetutës.

Gazment Bardhi: Duke qenë një projektligj jo qeveritar që sjell efekte financiare, do të duhet sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të sjellë mendim me shkrim Këshilli i Ministrave.

Shumica e mohoi dhe u bëri të qartë kundërshtarëve të djathtë që jo vetëm do ta miratojnë, por do të rrëzojë dhe amendimet e propozuara prej tyre.

Toni Gogu: Të nderuar kolegë opozitarë na vjen jashtëzakonisht keq, ne atë nismë sot do ta bëjmë ligj.

Por ai që u bë sebep për zvarritje dhe ndërprerje të njëpasnjëshme të seancës ishte deputeti Agron Shehaj. Ai kërkoi informacion për mosrealizimin e interpelancës së tij me zv/kryeministren Belinda Balluku.

Agron Shehaj: Mund të më bëni të ditur ju lutem një datë se kur do të bëhet interpelanca.

Elisa Spiropali: Zv.kryeministrja është jashtë Shqipërisë sot.

Por zv/kryeministrja Balluku erdhi në seancë disa minuta më vonë.

Belinda Balluku: Nuk ka gënjyer kryetarja. Nuk e kuptoj se kush është problemi juaj, nuk të vijmë në seancë pasi kthehemi? Kështu që merreni me qetësi, unë kam qenë këtu për interpelancë më 3 Tetor kur ju protestonit dhe Shehaj kishte frikën tuaj. Tani unë nuk e bëj dot burrë Z. Shehaj, nuk i jap dot zemër.

Pas deklaratave të Ballukut, Shehaj këmbënguli të merrte fjalën dhe bllokoi foltoren kur kjo iu mohua nga Spiropali.

Elisa Spiropali: Nuk mund të bllokosh foltoren, do të heq të drejtën e fjalës për sot dhe do të përjashtoj nga seanca. Deputeti Sali Berisha ka fjalën.

Berisha në pamundësi për ta marrë fjalën në seancë në oborrin e Parlamentit, akuzoi kryeparlamentaren për keqmenaxhim të seancës.

Sali Berisha: Pas mbledhjes që kanë bërë në grupin e saj parlamentar, ka frikë se i nxjerrin 5 milionshin…

Seanca ka nisur dhe është ndërprerë disa herë, por Shehaj nuk ka pranuar të lerë foltoren dhe ka vazhduar të komunikoi me ndjekësit e tij në TikTok duke u bërë pengesë që deputetë të merrnin fjalën.

Kjo ka shkaktuar dhe përplasje fizike dhe ofendime mes tij dhe përfaqësueseve të tjerë të opozitës.

Elisa Spiropali: Nuk jemi teatri yt aty, hajde liro foltoren. Ik tani, hajde. Ndërpritet seanca 5 minuta. Z. Shehaj dilni përjashta.

Tv Klan