Një studente tregon në emisionin “Stop” në Tv Klan se ka përfunduar studimet në universitetin privat “Kolegji Universitar i Biznesit” dhe megjithëse ka mbrojtur diplomën, nuk i japin kartonin. Pengesë është bërë një pagesë prej 900 eurosh.
Në vitin e parë studentja për shkak të mesatares, ka përfituar gjysmë burse duke paguar 800 euro nga 1600 euro pagesë vjetore. Ndërkohë në vitin e dytë dhe të tretë, nuk e ka mbajtur mesataren dhe ka paguar tarifën e plotë.
“Stop” takohet me rektorin e këtij universiteti Ylber Bezo, i cili pretendon se në kontratën e studentes një nga pikat është që përfitimi me bursë apo gjysmë bursë, të detyron të vijosh studimet master në këtë shkollë.
Rektori Ylber Bezo: Ka një kontratë, siç ka çdo student. Në kontratën e saj, një nga pikat e kontratës është kështu: çdo student thuhet atje, që për shkak të notës mesatare ose ofertave të ndryshme që bën kolegji, nëse ka përfituar një prej ofertave, kjo kishte për notë mesatare. Në një pikë të kontratës, këta e kanë të shkruar, që po qe se do të përfitosh bursa ose gjysmë bursa, tarifa të ulëta ose të reduktuara, për shkaqe të ndryshme, duhet që të marrësh përsipër që ti të vijosh studimet master tek kjo shkollë.
Qytetari: Më fal, ne duhet të paguajmë…?
Rektori Ylber Bezo: Atë, që ka përfituar. Po! Atë, që ka përfituar atë vit që ka qenë dhe është e lirë nga ne. A më kupton? Kjo është detyrim ligjor, kontraktor nuk është, nuk është ndonjë politikë e diferencuar për njërin dhe për tjetrin. Nuk e di, sa i qartë je?
Qytetari: Në…
Rektori Ylber Bezo: Duhet paguar ajo, sepse unë ndryshe e kam të shkruar, nuk ta lejoj, që të marrësh diplomën në dorë. Paguaj detyrimin dhe vazhdo, ku të duash ti pastaj!
Qytetari: Ngaqë vetë ia dhatë bursën atëherë për shkak të mesatares.
Rektori Ylber Bezo: Ia dhamë, por me këtë kusht pra.
Avokati Klaudi Zholi shprehet se kjo është një paligjshmëri nga ana e universitetit, ndaj në këtë rast duhet të ndërhyjë Ministria e Arsimit./tvklan.al