Qytetarët e Kosovës iu drejtuan më 9 shkurt kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare. Procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe përfundoi në 19:00. Sipas përditësimit më të fundit nga KQZ, deri më tani janë numëruar 96.45% e votave. Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë me 41.11% të votave, e dyta në radhë është PDK me 22.28%, LDK me 17.78% dhe AAK në koalicion me Nismën kanë grumbulluar 7.46% të votave.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë. Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.

104.924 votues u regjistruan për të votuar jashtë Kosovës, ndërkohë që 84.525 prej tyre zgjodhën të votojnë përmes postës. Ndryshe nga herët e kaluara, u votuan deri në 10 kandidatë të të njëjtit subjekt politik.

Rezultatit do t’i bashkëngjitet numri i votave të  diasporës dhe do të tregojë edhe si do të vazhdojë krijimi i qeverisë. Gazetarja Ardiana Thaçi në një lidhje direkte me programin “Rudina” në Tv Klan shpjegon se çfarë do të ndodhë në rast se partitë opozitare nuk pranojnë koalicionin.

Ardiana Thaçi: Në fakt është një situatë që ne e kemi pasur më shumë se para 10 vjetëve kur ka qenë një  situatë e tillë kur partitë që kanë qenë në opozitë nuk kanë dashur që të bëjnë koalicion me partinë në pushtet. Pastaj ka dalë një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe është caktuar secili prag. Është një afat  prej 15 ditësh që Presidentja e Kosovës do t’ia japë partisë kryesore që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje për të krijuar qeverinë dhe në rast se brenda 15 ditësh qeveria nuk arrihet të formohet, atëherë mandati i kalohet partisë së dytë që në këtë rast është Partia Demokratike e Kosovës. Nëse bazohemi te të gjitha ato që kanë thënë të gjitha  partitë politike, ne në prill ka më shumë gjasë që t’u drejtohemi sërish kutive të votimit për shkak se ka barrikadim nga secila anë./tvklan.al