Si çdo fundjavë emisioni “Rudina” në Tv Klan trajton tema të veçanta dhe emocionuese që na kthejnë pas në kohë. Paneli i të ftuarve këtë të shtunë, kujtoi me nostalgji filmat që kanë shënjuar në jetën e tyre, duke përmendur dhe filmat shqiptarë.
Pjesë e panelit ishte dhe aktorja e njohur e Teatrit të Kukullave, Florinda Mazreku. Për më shumë se 4 dekada ajo ka interpretuar role të ndryshme në skenë, duke vjedhur jo vetëm duartrokitjet, por dhe zemrat e fëmijëve të vegjël. Në studion ajo ndan një prej kujtimeve më të bukura të karrierës së saj. Kur në moshën 18-vjeçare u bë pjesë e kastit të aktorëve të filmit “Shtigje lufte”. Ajo luante rolin e Minushes. Krah aktorit të njohur Timo Flloko ajo ndan përjetimet e asaj kohe.
“Pirro Mani regjisori shumë i njohur, kur unë isha 18 vjeç, sa kisha filluar të luaja në Teatrin e Kukullave dhe ai më ftoi që të luaja krah aktorëve më të mëdhenj. Unë kisha partner Timo Fllokon. Unë isha Minushja në atë kohë që luaja partizanen dhe mendo se çfarë mentaliteti kemi pasur ne në atë kohë. Mua më dukej sikur çfarë po më bënin, më dukje sikur do të më bënin diçka të keqe ndërkohë që ata po më ngrinin lart e më lart në artin që do të zhvilloja. Vërtetë ata më morën e më mbajtën afër. Kur pashë që mbaruan xhirimet e filmit, “Shtigje lufte”.
Ishte vetëm 18-vjeç dhe në atë nuk dinte se çfarë ishte kinematografia apo filmi, saqë dashur-padashur edhe nuk e kishte vlerësuar ashtu siç duhet. Por, sot shumë dekada më pas Florinda Mazreku shprehet se nëse do mundte të kthente kohës pas do bënte të pamundurën të mundur në atë shesh-xhirim. Megjithatë edhe pse në një moshë të vogël ajo spikati me rolin e saj, saqë aktorja ndan momentin më befasues të jetës. Atë moment kur pa portretin e saj në një prej posterave të mëdhenj që vendoseshin në rrugët kryesore të qytetit. Ishte partizane Minushja, vajza 18-vjeçare që të gjithë e njihnin.
“Unë nuk e vlerësoja sepse nuk e dija se ç’ishte filmi. Nuk ia kisha idenë tamam. Ata bënin kimoprovën dhe më filmonin pa e ditur unë fare. Timo Flloko e regjisori Pirroja vendosën që këtë rol që ta bëja. Dhe një gjë që nuk më del kurrë nga mendja ishte kur kaloja tek Rruga e Barrikadave, që vendoseshin ato reklamat e mëdha. Ishte një poster shumë i madhe dhe portreti im si partizane. Unë rrija si e habitur dhe mendoja pse unë do jem këtu.”/tvklan.al