Plagosen shtatë të tjerë, mes tyre deputeti Bujar Çela

Ora 15:37 minuta do të shënonte një shpërthim shumë të fortë në Lushnje këtë të premte. Pamjet e momentit të ngjarjes tregojnë çfarë ndodhi dhe se si njerëzit vrapojnë të frikësuar për t’u larguar.

Të tjerë shikohen me duar në kokë teksa kanë parë me sy tmerrin që ndodhi ditën e sotme. Ajo që dihet deri më tani është se dy persona, babë e bir, humbën jetën ndërsa shtatë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mes tyre edhe deputeti i PS-së, Bujar Çela.

Viktimat:

Roland Hoxha

Elidon Hoxha

Të plagosurit që ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës:

Sokol Lumi

Bujar Çela

Të plagosurit që ndodhen aktualisht në Spitalin e Lushnjes:

Sajmir Korreshi

Ilia Sota

Lunedi Golemi

Ervis Sharka

Eriget Gorovelli

Momenti i shpërthimit në Lushnje


Por çfarë ndodhi?

Për shkak se shpërthimi u dëgjua në të gjithë qytetin, policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Atje mbërritën edhe forcat e zjarrfikësve dhe të urgjencës.

Rreth dy orë më vonë doli vetë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, që sqaroi se çfarë ka ndodhur. Dyshimet paraprake janë se shpërthimi është shkaktuar si pasojë e kontaktit të një vinçi me linjën e tensionit të lartë.

Ministri Balla tha se si pasojë e këtij kontakti dhe të shkarkimit të rrymës me tensionin e lartë, ka shpërthyer një mjet eskavator që po bënte punimet në zonë. Për shkak të djegieve të rënda ka humbur jetën Roland Hoxha. Ai ishte brenda vinçit që po bënte punimet.

Më tutje, fokusi ishte tek të plagosurit. Mes tyre ishte edhe djali i Rolandit, Elidon Hoxha. Ai ka qenë pranë të atit kur ka ndodhur ngjarja. Për shkak të dëmtimeve të rënda, Hoxha u nis drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmë më të specializuar, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetojë dot. Ai ndërroi jetë duke e çuar në dy numrin e viktimave nga kjo tragjedi ndërsa shtatë mbetën të plagosur.


Drejt Traumës u nisën edhe dy pacientë të tjerë në gjendje më të rëndë mes tyre edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela. Ministri Balla tha se ai ka marrë një plagë për shkak të shpërthimit që është izoluar nga mjekët në Lushnje, por për një trajtim më të specializuar u nis drejt kryeqytetit. Klan News thotë se ai është bashkëpronar në biznesin ku ndodhi ngjarja.

Ministri tha se Policia e Shtetit prej momentit të parë po zhvillon të gjitha hetimet për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë rast. Kur u pyet nëse në vendngjarje ka pasur depozitë me oksigjen që është përpjekur të ngrihet nga ana e vinçit, ministri tha se hetimet do ta vërtetojnë këtë.


“Gjithçka që unë thashë janë informacion paraprak sepse le të themi vlerësimin përfundimtar do ta japë një hetim i plotë. Do ju lutesha që edhe informacioni që ndava me ju është paraprak i vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit dhe nga ato pak deklarime që janë marrë deri në momentin që komunikojmë së bashku. Le të presim hetimin e plotë”, tha Balla.

Por banorë që kanë qenë pranë magazinës flasin se vinçi ka qenë duke ngritur bombolat e oksigjenit që po përdoreshin për saldim. Gazetarja Anila Sefa thotë se kanë qenë dy të tilla që kanë shpërthyer njëra pas tjetrës.

“E premtja e zezë” në Lushnje

Ajo që ndodhi këtë të premte në Lushnje ishte shumë e rëndë. Shpërthimi ka qenë shumë i fortë, aq sa ka shkaktuar dëme në një vijë ajrore prej dy kilometrash në Lushnje. Pamjet në videon më poshtë e tregojnë më së miri shkallën e lartë të forcës që ka pasur shpërthimi.


Gazetarja Anila Sefa që ka qenë pranë vendit të ngjarjes thotë se përveç thyerjeve të xhamave ka pasur edhe krisje të mureve të banesave dhe bizneseve aty pranë.

Për të zbuluar rrethanat dhe shkaqet e plota të kësaj ngjarje pritet ekspertiza e policisë./tvklan.al