Ruja Ignatova ose “Mbretëresha e kriptove” është bullgaro-gjermania dhe femra e vetme në listën e 10 njerëzve më të kërkuar nga FBI. Një mashtruese me diplomë Oksfordi e tituj doktoratash që ndërtoi një skemë piramidale duke e fshehur atë si një kriptomonedhë OneCoin. Siç shpjegon Denisa Kele, ekspertja e kriptomonedhave e ftuar në “Rudina” në Tv Klan, në vitin 2014 kur ajo nisi aktivitetin e saj, informacioni mbi valutat elektronike ishte i paktë dhe premtimet e saj konsistonin në marrjen e shumave të mëdha të parave brenda 3 muajve.

Ignatova doli zbuluar nga një ekspert që ndërtonte bilancet elektronike, “blockchain”, të cilin kompania e saj  nuk e kishte një të tillë, të nevojshëm që një kriptomonedhë të ketë vlerë. Megjithatë, kallëzimi i tij nuk solli arrestimin e “Mbretëreshës së kriptove”, por arratisjen e saj që prej vitit 2017 e deri më sot. FBI ofron një shpërblim prej 100 mijë Dollarësh për këdo që jep informacione thelbësore për kapjen e saj.

Një fakt interesant që përmend ekspertja Kele, është besueshmëria që Ignatova kishte krijuar te njerëzit sepse kompania ishte shtrirë në 157 vende të botës brenda një viti e gjysmë. Madje, në Afrikë, shumë investitorë ishin priftërinj që e besonin dhe mbështesnin, aq sa në krah të kishave, ndodheshin zyra të OneCoin.

Gjatë kohës që ajo fliste me investitorë apo në konferenca me 4 mijë pjesëmarrës, sulmonte kompaninë Bitcoin, ndërsa Denisa na njeh edhe me hipoteza që qarkullojnë për marrëdhënien e saj me kriptomonedhën e njohur.

Denisa Kele: Ka shumë spekulime që thonë që sigurisht që ka ndryshuar komplet pamjen e vet dhe identitetin e saj. Gjithashtu, një ndër spekulimet më të mëdha është ajo që kjo grua mbart në portofolin e saj vlerat më të mëdha të Bitcoin-it, është një nga investitoret më të mëdha të Bitcoin-it në botë. Në vitin 2017 kur u zhduk, pati një marrëveshje midis saj dhe princit Al-Qazim në Dubai dhe bleu vlerën e 230 mijë Bitcoin. Mund të jetë një ndër investitoret më të fuqishme të Bitcoin-it, që do të thotë se nuk është se nuk e ka besuar Bitcoin-in në atë kohë, thjesht donte të bënte një mashtrim mbi spekulimin e Bitcoin-it.

Ka blerë në atë kohë diku te 50 milionë Euro Bitcoin që në 2021 kapën vlerën e 15 bilionë Dollarëve.

Përveç shenjave të gishtave që mund ta ‘tradhtojnë” Ignatova, ajo mund të jetojë e sigurt kudo në botë duke kryer transferta elektronike.

Denisa Kele: Nuk dua t’i futem gjërave teknike, por në momentin që bleu këto 230 mijë Bitcoin, i ka blerë me portofolin e ftohtë, i cili është i pagjurmueshëm dhe nuk e ke idenë se kush fshihet pas portofolit të caktuar. Të katërt portofolët e saj ishin të ftohtë dhe mund të jetojë e lirë./tvklan.al