900 banesa kanë pësuar dëme të shumta
I rezistoi çdo hordhie pushtuesish, por tërbimi i natyrës më 26 Nëntor ia tronditi themelet edhe Krujës. 15 pallate janë shpallur të pabanueshme, ndërsa 900 banesa kanë pësuar dëme.
10 familje në këtë pallat të lagjes 4 janë evakuuar menjeherë pas tërmetit. Të tjera familje si ajo Haxhiu vijojnë të qëndrojnë brenda banesave.
Një pjesë e banorëve të mbetur pa strehë janë vendosur në shtabet e emergjencës. Shumë familje të tjera presin të akomodohen diku.
Specialisti i informacionit pranë Bashkisë Krujë, Xhulian Kafexhiu shprehet: “Sipas raportimeve të fundit nga grupet në terren, janë 150 familje që janë të prekura rëndë dhe që shtëpitë e tyre janë dëmtuar dhe kanë dalë të pabanueshme. Bashkia e Krujës ka ofruar dy palestra dhe një hotel, por janë të pamjaftueshme. Duhet të theksojmë se palestrat janë të përkohshme”.
Brenda në qytet situata duket me e qetë. As turistët nuk e kanë braktisur këtë perlë të trashëgimisë.
E dëmtuar nga tërmeti ka mbetur edhe kalaja e Krujës, veçanërisht kulla e sahatit. Megjithatë, pjesa më e madhe e saj është në këmbë, si për të dëshmuar që qyteti i Skënderbeut dhe banorët e tij nuk gjunjëzohen lehtë.
Tv Klan