Njësoj si presidenti i ri i Amerikës, Donald Trump, edhe homologu i tij rus, Vladimir Putin është në të njëjtën ide. Nëse Trump do të kishte qenë president asokohe ndoshta s’do kishte pasur luftë.
“Nuk kam asgjë tjetër veçse të bie dakord me të se nëse ai do ishte president, nëse fitorja e tij nuk do ishte vjedhur në 2020-ën [zgjedhjet], atëherë ndoshta nuk do të kishte ndodhur kriza në Ukrainë që u shfaq në vitin 2022”, tha Vladimir Putin për televizionin shtetëror.
Më herët, Trump ka bërë thirrje që të mbarojë lufta.
“Le t’i japim fund kësaj lufte, e cila nuk do të kishte nisur po të isha unë president! Mund ta bëjmë me mënyrën e lehtë ose të vështirë, por mënyra e lehtë është gjithmonë më mirë”, tha Trump.
Siç shkruan The Guardian, komentet e Putinit dhe retorika e tij krah Trump duke përsëritur pretendimet për vjedhje në zgjedhjet e 2020-ës me shumë mundësi bëhen për të nxitur spekulimet rreth një takimi të mundshëm mes dy udhëheqësve.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov është shprehur se nuk ka parë veprime praktike që tregojnë se Kievi dhe Perëndimi janë gati për bisedimet për paqe në Ukrainë.
“Përkundrazi, furnizimet ushtarake perëndimore për forcat e armatosura ukrainase janë duke vazhduar, ultimatumet ndaj Rusisë po vazhdojnë të krijohen, ka një ndalim të ligjshëm të negociatave dhe çështja e legjitimitetit të autoriteteve ukrainase nuk po zgjidhet”, tha diplomati./tvklan.al