Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Vota për Bashkinë e Tiranës është votë përtej barrierave partiake. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, në një takim gjatë pasdites me banorët e minibashkisë numër 1, ka kërkuar shumicë të qëndrueshme të këshillit bashkiak, që të mos pengohen nismat për zhvillimin e qytetit.

Edi Rama:- “Ne na duhet që nga zgjedhjet e 12 Tetorit, të dalim jo thjesht me një fitore numerike, por me energji e fuqi të mëdha dhe në mënyrë të veçantë, me mundësi të mëdha bashkëveprimi dhe bashkëpunimi dhe për këtë arsye unë po e ngre vazhdimisht çështjen e domosdoshmërisë së një vote, që të shkojë përtej barrierave partiake dhe t’i japi mundësi bashkisë së re, që të ketë një këshill bashkiak me një shumicë të qëndrueshme, që të ketë njësi bashkiake me një stabilitet dhe me një qëndrueshmëri në raport edhe me bashkinë e re, në mënyrë që projektet tona, në mënyrë që ambiciet tona, të mos frenohen”.

Gjatë paradites, Rama ka kërkuar mbështetjen e grave të shoqërisë civile të qytetit. Rama tha, se gratë përfaqësohen pak në politike dhe se duhet treguar më shumë besim në aftësitë e tyre./tvklan.al