Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Pas prishjes së ndërtimeve pa leje në segmentin rrugor Kthesa e Kamzës – Instituti Bujqësor, ka nisur projekti për rikonstruktimin e tij. Projekti i hartuar nga bashkia e Tiranës dhe i financuar nga buxheti i shtetit parashikon zgjerimin me dy korsi në secilin kah të rrugës, që do të ndahet nga një brez i gjelbër një metër, si dhe shtrimin e trotuareve dhe ndërtimin e mureve mbajtëse për mbrojtjen e skarpateve.
Edi Rama: “Në vijim të procesit të çkandaharizimit të hyrjes së Tiranës, duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e jashtëzakonshme që ka porta e veriut e cila është si portë ferri aktualisht, ne po fillojmë sot një projekt shumë të rëndësishëm, i cili i krijon mundësi të gjitha makinave që vijnë nga veriu, që duke hyrë në kufirin e Tiranës, pra tek Instituti Bujqësor, të hyjnë në infrastrukturë moderne, e cila lehtëson plohtësish qarkullimin.”
Në projekt parashikohet dhe ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe ndriçimi i rrugës. Ky segment rrugor është tejet i amortizuar dhe shkakton jo pak probleme, në lëvizjen e automjeteve drejt veriut të vendit./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka