Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Policia bashkiake vazhdon aksionin e nisur disa muaj më parë për heqjen e pikave të karburanteve që ndodhen pranë qendrave të banuara. Në prezencë dhe të kryetarit të bashkisë së Tiranës Edi Rama, fadromat kanë hedhur në tokë karburantin ESSO, i cili ngrihet pranë konviktit të fakultetit të Mjekësisë.

Edi Rama: “Kush mendon që punët dhe aksionet bashkia e Tiranës mund t’i lëri përgjysmë, bën mirë ta harrojë, ashtu sikundër dëshiroj që të kuptohet nga të gjithë, se ne nuk seleksionojmë, ne nuk bëjmë diferencime dhe mbi të gjitha, përpjekja jonë për modernizimin e Tiranës, ka një moral shumë të fortë, që bazohet në faktin se ne nuk luftojmë me shkelësit më të dobët, po luftojmë me të gjithë llojet e shkelësve.”

Pronarët e karburantit ESSO pretendojnë, se prishja e tij nuk është e drejtë, pasi posedojnë dokumentacionin e rregullt dhe për këtë arsye janë ende në proces gjyqësor me zyrën e Përmbarimit. Me vendimin e këshillit bashkiak të disa muajve më parë, në Tiranë do të prishen rreth 25 pika karburanti me dhe pa leje që ngrihen pranë qendrave të banuara dhe që përbejnë rrezik për jetën e qytetarëve./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka