Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjatë pasdites Edi Rama ka inspektuar punimet që po kryen për rehabilitimin e rrugës “Mine Peza”, ku ka gjetur rastin të takohet dhe me banorët e njësisë bashkiake nr. 9. Rrugët që po shtrohen tha Rama, janë një garanci për të gjithë elektoratin, se Tirana në tre vitet e ardhshme do të vazhdojë transformimin për të mos ndryshuar nga kryeqytetet europiane.

Edi Rama:- “Tirana që ne po ndërtojmë është një Tiranë, e cila është po aq e shëndetshme edhe në infrastrukturën e saj nëntokësore, sa ç’është edhe në sipërfaqe. Është një Tiranë, ku edhe fijet dhe kanalet që lidhin të gjithë qytetarët në Bashkinë e Tiranës, janë tashmë të tendosura, janë tashmë të hapura, janë të qëndrueshme dhe për këtë arsye unë jam i bindur që qytetarët e Tiranës përtej barrierave partiake, krahinore dhe gjithfarëlloj paragjykimesh do të votojnë në 12 Tetor për vazhdimin e kësaj pune të madhe të nisur”.

Po gjatë pasdites Rama ka përshëndetur dhe Alternativ Fest, një organizim ky i Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës, ku marrin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit.

Edi Rama:- “Tirona jonë do jetë gjithmonë e më shumë e juaja, gjithmonë e më shumë e hapur për të gjitha aktivitetet tuaja dhe gjithmonë e më shumë europiane, ashtu si kundër e dëshironi ju dhe ashtu si kundër bashkërisht do ta ndërtojmë me punë, me mund, me energji, me pasion dhe me shumë dashuri për njëri-tjetrin”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka