Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Puna e bërë në Tiranë në këto tre vite që unë kam drejtuar bashkinë e kryeqytetit është mëse e mjaftueshme për të bindur të gjithë elektoratin, si atë socialistë, por edhe atë demokratë, që votën në 12 Tetor të ma japin sërish mua, për të vazhduar punën për ndërtimin e Tiranës europiane.
Gjatë mitingut elektoral që ka zhvilluar pasdite në njësinë bashkiake nr.4, Edi Rama është shprehur i bindur në fitoren e tij dhe në humbjen e pa shmangshme të PD në 12 Tetor.
Edi Rama:- “Balta e rrugëve tuaja dytësore, nuk është balta që sollëm ne në vitin 2000, por është balta që ne gjetëm nga të katër anët në Tiranë, duke filluar nga sheshi “Skënderbej”, duke vazhduar në dy anët e Lanës, duke ecur në rrugën drejt Kinostudios, në rrugën drejt varrezave të Tufinës, në rrugën drejt Kombinatit e kështu me radhë. Dhe nëse ne, kemi pastruar një pjesë të mirë të baltës që solli PD, bashkë me pushtetin e saj të shthurur, të kaosit dhe anarkisë, nuk mund të akuzohemi pse në tre vjet nuk e pastruam të gjithë baltën, llumin, plehrat dhe degjenerimin që solli kjo parti, e cila sot kërkon të rikthehet, duke treguar pikërisht atë baltë që e solli vetë”.
Pas mitingut, po në njësinë bashkiake nr.4, Edi Rama ka zhvilluar një takim debat me banorët e kësaj zone. Rama i ka siguruar banorët se në tre vitet e ardhshme të mandatit si kryetar bashkie, rrugët dytësore të kësaj njësie nuk do të kenë ndryshim nga qendra e Tiranës./tvklan.al
Gazetare – Elja Zotka