Lajme Arkiva 2003

Pas shumë iniciativash të dështuara më në fund Edi Rama është lejuar të marrë pjesë në Konferencën e Partisë Socialiste në qytetin e Burrelit, përfaqësia socialiste matiane, së bashku me të deleguarin e kryesisë, njëherësh deputet i kësaj zone Luan Rama, kanë vendosur të lejojnë kryebashkiakun Edi Rama të shpalosë platformën e tij si kandidat për kreun e selisë rozë.

Edi Rama: Ju falenderoj me gjithë zemër që me mikpritjen tuaj i dhatë fund kalvarit tim mbrapa dyerve të konferencave të partisë. Është e kotë që të rrimë dhe ti tregojmë me gisht njëri-tjetrit se kush ka vuajtur më shumë për Partinë socialiste, kush ka dhënë më shumë kontribute për Partinë socialiste, se kush bënte çfarë në vitin ’90, në vitin ‘96, në vitin ‘97 apo në vitin 2000. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse “cytja e dreqit që na ka hyrë në bark”. Ne nuk duhet të shikojmë njëri-tjetrin si armiq.

As Berisha tha Rama nuk do të  mund ti sillte partisë sonë një tkurrje të tillë si ajo që po i sjellim ne me akuza kundër njëri-tjetrit.

Edi Rama: Nuk mund të bëjmë dot sikur rezultati i 12 Tetorit ishte një rezultat tjetër nga ai që në fakt është një tkurrje dramatike e Partisë Socialiste dhe hapi i fundit i dorëzimit të pushtetit të socialistit të thjeshtë. Unë ju siguroj se të vepruarit në këtë mënyrë, të vepruarit sikur nuk ka opozitë nga ana tjetër, të vepruarit sikur gogoli që është përball nesh do të jetë gjithmonë garanti i pushtetit tonë nuk mund të funksionoj më. Shqiptarët, elektorati, votuesit dhe mbështetësit, vërtetë nuk e shikojnë kundërshtarin tonë si një alternativë të besueshme, por nga ana tjetër gjithmonë e më shumë janë të frymëzuar edhe ata nga një nevojë e brendshme për të votuar negativisht për Partinë Socialiste.

Unë shqetësohem kur shikoj se qeverisja jonë është kthyer në një grup njerëzish që punojnë vetëm për interesa të tyre.

Edi Rama: Nuk ka një filozofi të ndarjes së buxhetit që të jetë filozofia e rindërtimit, por ka një filozofi e cila siç e thash mban brenda një vizion feudal. Ne duhet të kuptojmë se nëse ka ardhur dita që në Partinë Socialiste të hiqen dhe të vihen njerëz në punë për efekt të kongresit ky është alarmi për gjendjen ku ne gjendemi, kjo është kambana të cilën duhet ta dëgjojmë të gjithë.

Fjalimi i kandidatit Rama duket se është pritur mirë nga të pranishmit në sallë./tvklan.al