Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kur ne morëm Bashkinë e Tiranës 3 vjet më parë, nëpër rrugët e kryeqytetit të gjitha të shkatërruara nuk kishte asnjë poç, nuk ekzistonte asnjë lulishte dhe gjelbërimi njihej vetëm si emër, por nuk shihej asgjëkundi. Pas tre vjetësh punë në bashki ju i shihni vetë ndryshimet, të cilat do të jenë akoma më të mëdha në tre vitet e ardhshme, që ne do të drejtojmë bashkinë.

Me këto fjalë i është drejtuar Edi Rama elektoratit të njësisë bashkiake nr.5, ku ka zhvilluar pasdite mitingun elektoral të radhës, ku ka prezantuar dhe dy sfidat e reja të bashkisë në mandatin e tij të dytë si kryebashkiak.

Edi Rama:- “Është momenti të ballafaqohemi edhe me dy sfida të tjera shumë të mëdha, nga njëra anë me sfidën e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Tiranës dhe nga ana tjetër me sfidën e ngritjes së cilësisë së infrastrukturës parauniversitare, ku kam parasysh që nga çerdhet, kopshtet, shkollat fillore, shkollat 8-vjeçare dhe deri tek gjimnazet. Unë jam i bindur që ne jemi plotësisht të përgatitur për t’i përballuar këto dy sfida të reja, ashtu sikundër jam i bindur, se mënyra se si ne jemi përqasur këtyre dy problemeve dhe projekti që ne kemi për zgjidhjen e këtyre dy problemeve është i vetmi projekt i mundshëm, i cili bazohet te realizmi dhe tek vullneti ynë për të bërë një punë të thelluar dhe të pandalshme, për t’i fituar këto dy sfida të reja”.

Pas mitingut Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim të hapur me banorët e kësaj njësie. Banorët i kanë shprehur kryebashkiakut shqetësimet e tyre, ndërsa Rama nga ana e vetë, i ka siguruar se gjithçka është brenda kompetencave të bashkisë do të realizohen./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka