Lajme Arkiva 2004
Ndërtuesit kërkojnë legalizimin e të gjitha shtesave dhe ndryshimeve të bëra nga projekti fillestar i miratuar nga KRT-ja kundrejt një gjobe prej 4% nga vlera e shtesës, por kjo gjë është kundërshtuar nga kryebashkiaku Edi Rama i cili është dakord me legalizimin e këtyre shtesave, por kundrejt një përqindje më të madhe e cila të shkojë për rregullimin e infrastrukturës së qytetit.
Në mbledhjen e aktivit të shoqatës së ndërtuesve shqiptarë ku të ftuar ishin dhe ministri i Turizmit Bashkim Fino dhe kryebashkiaku Edi Rama, ky i fundit kërkoi që ndërtuesit të respektojnë projektet e miratuara nga KRT-ja.
Edi Rama: Unë kam qenë qysh prej fillimit një nga përkrahësit e kalimit në parlament të një ligji të veçantë, i cili do të legalizonte të gjitha shtesat dhe deformimet mbi lejen e ndërtimit, por nuk kam qenë dhe nuk jam akoma sot dakord me modalitetet e përcaktuara në vendimin e miratuar të qeverisë, i cili është bërë gati për tu bërë ligj. Këtë e them hapur dhe fare sinqerisht sepse nuk mendoj se për afro 5 hektarë beton jashtë lejeve të ndërtimit në të gjitha godinat duke filluar nga qendra e deri në periferi ky qytet duhet të marrë më pak se 1 milionë euro në rastin më të mirë.
Ndërsa ministri Fino i ka kërkuar ndërtuesve më tepër bashkëpunim me shtetin.
Bashkim Fino: Nuk mund të prisni vetëm gjithçka nga shteti në këtë drejtim, por duhet edhe vetë të denonconi rastet e shkeljeve, të distancoheni nga abuzivi, nga anëtarët e shoqatë suaj që janë subjekt i ndërtimeve me cilësi të dobët e me shkelje të çdo lloj. Bëjeni publik këtë vullnet tuajin për të respektuar ligjin dhe unë ju premtoj mbështetjen time dhe të gjithë strukturave shtetërore që drejtoj.
Kreu i ndërtuesve Artan Dulaku ka pranuar se cilësia e ndërtimeve të kryera vitet e fundit nuk është nga më të mirat, ndërkohë që Dulaku deklaroi se ndërtuesit janë duke paguar koston e politikës.
Artan Dulaku: Kush i ka paguar kostot? Kemi qenë gjithmonë ne ndërtuesit që i kemi humbur klientët, që na janë larguar klientët e të tjera me radhë. Absurditeti i politikës ka arritur deri ty sa dhe përpunimet me fondet e buxhetit janë dhënë me prokurime të drejtpërdrejta apo me tender kompanive të huaja.
Aktivi i shoqatës së ndërtuesve ka zgjedhur sot edhe strukturat e reja drejtuese./tvklan.al