Të gjithë shtetasit shqiptarë që nuk kanë pasaportë duhet të pajisen falas me kartat e identitetit kjo nëse qytetarët aplikojnë përpara datës së zgjedhjeve.
Ky ka qenë dhe propozimi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili në një konferencë për shtyp tha se numri i qytetarëve që nuk kanë dokumente identifikimi për të votuar në 28 Qershor është i lartë.
Edi Rama: “Për të shpëtuar zgjedhjet dhe nderin e vendit tonë, duke u dhënë të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që s’kanë pasaportë mundësinë e aplikimit, pavarësisht nëse gjendja e tyre ekonomike nuk ua lejon. Këta shtetas do ta marrin kartën falas nëse aplikojnë përpara 28 Qershorit. Theksojmë se aplikimet e të gjithë shtetasve me pasaportë duhet të ndërpriten deri në 28 Qershor.”
Edhe në këtë konferencë Rama përsëriti se procesi i pajisjes me letërnjoftimet e rinj po shkon drejt dështimit, duke thënë se dhe një gjë e tillë do të rrezikonte dhe zgjedhjet pasi mijëra personave do t’i hiqej e drejta për të votuar.
Edi Rama: “Ne sot jemi shumë të shqetësuar për vetë fatin e zgjedhjeve të ardhshme të cilat pa ndryshimin e kushteve të sotme rrezikojnë të kthehen në një tjetër ngjarje dramatike për demokracinë shqiptare. Ne sot jemi shumë të shqetësuar për të gjithë pasojat e rënda dhe absolutisht të pajustifikueshme që dështimi i zgjedhjeve të 28 Qershorit mund të sjellë për Shqipërinë në planin politik, ekonomik e shoqëror”.
Propozimi i Partisë Socialiste vjen vetëm një ditë pas takimit të përfaqësuesve të ODHIR-it me kryetarin e selisë rozë, ku ky i fundit shprehu shqetësimet për procesin e pajisjes me kartat e identitetit./tvklan.al