Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Të gjitha rrugët që janë nisur nga bashkia e Tiranës për t’u rikonstruktuar do të përfundojnë brenda afatit të parashikuar. Këtë pohim e ka bërë kryebashkiaku Edi Rama, i cili ka kundërshtuar zërat, se punimet po zvarriten.
Edi Rama: “Ne po bëjmë punë, që qytet e Europës me të cilat nuk mund të krahasohemi, i kanë bërë shekuj më parë, po t’ju kujtojmë që Roma kanalizimet i ka trashëgimi nga koha e Cezarit, ndërkohë që ne jemi të detyruar të krijojmë kanalizime dhe sisteme krejt të reja, për shkak të pamundësisë për të vazhduar më tutje, me sisteme të vjetra dhe krejtësisht të amortizuara. Kjo natyrisht i bënë kantierët të jenë më të zgjatura në kohë. Ndryshe nga ç’pretendohet se ne nuk kemi mundësi t’i përballojmë gjithë këto punë që kemi hapur, ne kemi mundësi t’i përballojmë.”
Aktualisht në Tiranë, po kryhen punime në 21 rrugë kryesore dhe dytësore, por sipas Ramën në qoftë se mundësitë financiare do të ishin më të mëdha, bashkia nuk do të nguronte të fillonte rikonstruktimin e rrugëve të tjera, të cilat do të përfundonin po brenda afateve kohore tepër të shkurtra.
Edi Rama: “Unë jam i bindur që të gjithë qytetarët janë të kënaqur me këtë rrëmujë, përsa kohë mendojmë që kjo është një sakrificë që duhet ta bëjmë të gjithë bashkërisht për të pasur sa më shumë infrastrukturë të përgatitur dhe të gatshme në një kohë sa më të afërt.”
Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve të rrugës “Irfan Tomini”, segmentin që lidh rrugën e Kavajës me bulevardin “Zhan D’Ark”./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka