Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Gjatë një aksioni të zhvilluar pranë kryqëzimit tek “21 Dhjetori”, kryetari i bashkisë së Tiranës ka shpjeguar punën e bërë deri tani për shembjen e ndërtimeve pa leje në hapësirat midis pallateve.

Edi Rama: “Kjo është e shtuna e 17 e këtij aksioni, nëpërmjet të cilit janë hequr rreth 29 mijë ton inerte dhe mbeturina të tjera nga blloqet e banimit, natyrisht jemi ende në fillim, sepse ajo që mbetet për t’u bërë është shumë herë më e madhe se ajo që është bërë, por jemi shumë të kënaqur për përkrahjen e komunitetit dhe të qytetarëve që kanë ndërtime të tilla të paligjshme të cilët janë shumë të gatshëm për të kontribuuar”.

Aksioni i sotëm u zhvillua në rrugën “Ylbere Bylykbashi” ku gjatë viteve të fundit, banorët kishin ndërtuar me dhjetëra ndërtime pa leje të destinuara për parkime makinash. Duke sjellë si pasojë dhe zënien e sipërfaqeve midis ndërtesave të banimit. Të gjitha këto sipërfaqe do të shndërrohen më pas në zona të gjelbëruara në dobi të komunitetit./tvklan.al