Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Startoi në TV Klan edicioni i dytë i Maratonës së Këngës Popullore dhe Qytetare. Në mbrëmjen e parë të tij, ky spektakël ka sjellë emra të njohur të muzikës shqiptare, jo vetëm në konkurrim mes tyre, por edhe me të ftuar të tjerë special të kësaj mbrëmje. Në konkurrim për festivalin e Disko-Folkut, janë ngjitur në këtë mbrëmje këngëtarët Jonida Maliqi, Françesk Radi, Ingrid Jushi dhe grupi West Side Family.

Ndërkohë mbrëmja e sotme i ishte kushtuar tërësisht qytetit të Tiranës, i cili është përfaqësuar nga këngëtarë tepër të njohur, si Valbona Mema, Artjola Toska, Pajtim Struga etj. Gjithashtu janë paraqitur nëpërmjet familjeve më në zë tiranase, si Tafaji, Shijaku, Sallaku etj, tradita e qytetit tonë, kuzhina tradicionale e tij, kostumet popullore nëpërmjet një sfilate, si dhe punime artizanale.

Një nga të veçantat e kësaj mbrëmje ka qenë edhe lidhja direkte me televizionin Koha Vizion në Kosovë, ku ky spektakël është përshëndetur nga emra të njohur të muzikës kosovare. Spektakli i sotëm është transmetuar edhe në të gjithë Europën, direkt, nëpërmjet transmetimit satelitor, mundësuar nga Televizioni Publik Shqiptar, si dhe do të transmetohet edhe nga kanalet televizive ART Kanal dhe MKTV 3 në Maqedoni, si dhe televizioni Teuta në Mal të Zi./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora