Parlamenti evropian është i angazhuar që shqiptarët të udhëtojnë pa viza brenda verës së këtij viti.

Për këtë një përfaqësi e PE-së kryesuar nga Eduard Kukan, shef i delegacionit për Ballkanin, do të zbresë këtë të diel në Tiranë për të parë nga afër plotësimin e kushteve të Shqipërisë për liberalizimin e vizave.

Lajmi është bërë i ditur nga Evropa e Lirë, që citon Kukan kur thotë se liberalizimi i vizave do të kishte kuptim nëse do të realizohej përpara pushimeve të verës në mënyrë që njerëzit të mund të udhëtonin lirshëm.

Në përbërje të delegacionit do të jenë deputetët…Simon Bussutil nga Malta dhe raportuesja e parlamentit për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon.

Eurodeputetët do të takojnë kreun e shtetit, Bamir Topi, kryeministrin Berisha, Ministrin e Jashtëm, atë të Punëve të Brendshme dhe do të vizitojnë zyrat kryesore përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-ja.

Komisioni evropian është në pritje të raportit të ekspertëve që kohët e fundit ishin në Shqipëri për të verifikuar përmbushjen e kushteve të udhërrëfyesit.

Më pas Brukseli do të paraqesë vlerësimin e tij në mes të Prillit dhe në bazë të këtij komisioni evropian do të bëjë propozimin legjislativ në lidhje me liberalizimin e vizave./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle