Ditën e sotme në Gjykatën e Korçës u dha masa e sigurisë për Denis Meçen, autorin e dyshuar të vrasjes së Egli Progës dhe tre personave të tjerë të vënë në pranga për moskallëzim krimi. E teksa Meçe u la në burg, tre personat e tjerë janë lënë në detyrim paraqitje.
Ku lajm nuk është pritur mirë nga familjarët e viktimës, të cilët kanë qenë të pranishëm pranë ambienteve të gjykatës.
“Po flisni për padrejtësi që filloi nga Policia e Shtetit, padrejtësi duke filluar nga regjistrimet, çdo akt që kanë sjellë ata, akt që ka shoqëruar edhe gjykatën në padrejtësi. Janë lënë të lirë të gjithë vrasësit, flasim për padrejtësi të menjëhershme, në kohë, në bashkëpunim. Flasim për banda të bëra bashkë”, tha motra e viktimës, Jonida Proga.
Ajo thotë se me këto vendime Egli po vritet sërish.
“Kam parë skedën e vdekjes, me shënim “është vrasje”. Çfarë janë këta të tjerët që lihen me detyrim paraqitje? Po vazhdon të vritet Egli, me çdo veprim dhe mosveprim që është duke u kryer. Kjo është vrasje për herë të tretë. Po flasim për vrasje me dashje, në bashkëpunim, në masë, të një njeriu të pafajshëm dhe janë lëshuar një tufë huliganësh. Kjo është. Duke njohur kontigjentët, unë nuk jam në dijeni për gjobë, por duke njohur elementët është gjëja më e rëndë. Kur guxohet ta vrasësh, me grushta një njeri, do të thotë që çdo gjë tjetër është e mundur. Është bërë më ekstremi, më e madhja”, tha ajo.
Ndërsa një i afërm tjetër i viktimës ka thënë se autorët njihen për gjobvënie në qytetin e Pogradecit.
“Gjithçka pritet nga këta kriminela. Në qytetin e Pogradecit këta njihen shumë mirë për gjobëvënie, jam pa fjalë. Nuk di çfarë të them. Dua që drejtësia të vihet në vend. Ju lutem mediat të bëjnë të pamundurën, të zbardhin të vërtetën ose nuk e di ç’të them. Këta janë kriminela të gjithë në bashkëpunim”, tha ai.
Akuza që hodhi i afërmi i viktimës në lidhje me gjobvëniet dyshohet të jetë motivi që ka çuar Denis Meçen të rrahë për vdekje Egli Progën.
Kjo është edhe njëra nga pistat të cilat po hetohet nga prokuroria, ndërkohë veprimet hetimore do të mbledhin fakte të tjera për dosjen, ku do të merren dhe dëshmi nga persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.
Policia po heton ndërkohë në disa pista përfshirë edhe gjobvënien.
Kujtojmë se vrasja e 42-vjeçarit Proga në Pogradec fillimisht u raportua si aksidentale. Kanë qenë pamjet e sekuestruar që kanë zbuluar të vërtetën.
Sa i takon veprimeve të kryera nga uniformat blu të cilët fillimisht e raportuan ngjarjen si aksidentale, e më pas si vrasje, kryepolici, Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar një hetim të procedurave të ndjekura për zbardhjen e saj./tvklan.al