Një gol fitoreje në Tbilisi dhe fanella e Kombëtares së Kristjan Asllanit u ngrit për të zbuluar një tjetër bluzë poshtë saj me shkrimin “Edhe 100 Leo!” Vëllai i vogël i futbollistit feston sot ditëlindjen dhe bluza ishte një hajmali që ai të shënonte këtë herë. Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Asllani tregon më shumë për ‘fatsjellësin’ e tij që po ashtu ndjek rrugën e futbollit dhe mund të jetë një lojtar i ardhshëm i kuqezinjve.
Blendi Fevziu: Sa vjeç bëri Leo?
Kristjan Asllani: 14 bëri sot.
Blendi Fevziu: Merret me futboll Leo apo thjesht entuziazmohet me ty në stadiunm?
Kristjan Asllani: Po, me futboll. Po luan avash-avash dhe të shohim deri ku do të arrijë.
Blendi Fevziu: Po qe se do të ecë mirë do të luajë për Shqipërinë apo për Italinë?
Kristjan Asllani: Për Shqipërinë.
Blendi Fevziu: Babin e kishe sot në stadium?
Kristjan Asllani: Jo, babi nuk erdhi, ishte në shtëpi me gjithë familjen time.
Blendi Fevziu: Të ndjek në çdo ndeshje?
Kristjan Asllani: Babi më ka ndjekur gjithmonë, por tani vjen vetëm kur luaj në shtëpi me Shqipërinë ose në Milano. Jashtë nuk vjen, rri më mirë në divan tan.
Blendi Fevziu: Herë tjetër, të lutem mbaje atë bluzën me vete ose merr Leon gjithmonë në stadium se nuk besoj se do të sillte fat më shumë gjë tjetër.
Kristjan Asllani: Jo është e vërtetë, me këtë bluzë do të luaj çdo ndeshje tani.
Blendi Fevziu: Si shpjegohet ky transformim i ekipit tuaj nga ndeshja e Pragës që për hir të së vërtetës linte shumë për të dëshiruar, te një ekip që ishte gati i panjohur në fushë, ishte tjetër ekip?
Kristjan Asllani: Sigurisht që ndonjëherë kur humb ndeshjen bën mirë se pastaj hyn me një tjetër karakter në fushë. Sot e dinim që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, por më në fund ia dolëm sepse jemi mbrojtur shumë mirë besoj, të gjithë nga sulmuesit deri te portieri, i kemi lënë të gjitha gjërat brenda në fushë, kemi lënë shpirtin, kemi pasur shumë karakter. Edhe dje folëm për këtë ndeshje, i donim tri pikët dhe më në fund erdhën këto tri pikë se na bëjnë mirë edhe për në nëntor se luajmë dy ndeshje në shtëpi. Fitorja sot na ndihmon pak se po të kishim humbur sot besoj se do të ishim jashtë nga të gjitha mundësitë për të kaluar.
Asllani shton se ky ishte një gol i shumëpritur për të për shkak të kohës që kishte kaluar pa bërë një të tillë për kombëtaren. Ai tha se është një kënaqësi e veçantë ndërsa parashikoi edhe ndeshjet e nëntorit.
Kristjan Asllani: Do të jenë dy ndeshje shumë të vështira se me Çekinë kemi luajtur para 4-5 ditëve, është ekip shumë fizik edhe është me gjithë mend shumë e vështirë të luash kundër tyre. Sigurisht që do të hyj në fushë si sonte, do të luajmë për tri pikë gjithmonë por e dimë që kemi dy kundërshtarë shumë të fortë./tvklan.al