Ekonomia shqiptare i ka të gjitha premisat që të vijojë rritjen ekonomike gjatë vitit 2009 dhe në vijim.
Garancinë e ka dhënë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Gjatë një konference për shtyp ai bëri të ditur se pavarësisht efekteve të krizës botërore, ekonomia shqiptare nuk do të hyjë në recension.
Ardian Fullani: “Kriza botërore ka ndikuar ekonominë tonë, duke lëkundur faktorët dhe ekuilibrat të cilët kanë mbështetur rritjen ekonomike. Ndikimi direkt mbi vendet në zhvillim, ku bën pjesë dhe Shqipëria, është rënia e kërkesës për eksportet e tyre, rënia e investimeve të huaja dhe shtrëngimi i kushteve të huamarrjes në tregjet botërore. Në këtë ambient të pafavorshëm, ekonomia shqiptare ka regjistruar një ecuri krahasimisht pozitive. Banka e Shqipërisë gjykon se ekzistojnë premisat për të ruajtur ritmet pozitive të rritjes ekonomike në vend, ndër të cilat stabiliteti makroekonomik dhe financiar i vendit mbeten parësor.”
Stabiliteti i parametrave makroekonomike sipas guvernatorit Fullani është pasqyruar edhe ne vendimin e fundit të këshillit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e pandryshuar te normës së interesit për lekun në nivelin 5,75%.
Ardian Fullani: “Mbajtja e pandryshuar e normës bazë të interesit reflekton kujdesin e Bankës së Shqipërisë për ekuilibrat e brendshëm dhe të jashtëm të vendit. Unë mendoj që përqasjet zhvlerësuese të kursit të këmbimit të lekut gjatë muajve të fundit dhe njëkohësisht për qasjet e tij rivlerësuese gjatë muajit të fundit, tregojnë më së miri që ekonomia shqiptare funksionon si një ekonomi që po shkon dita ditës drejt formalizmit të saj, një ekonomi që funksionon në bazë të rregullave dhe principeve të një ekonomie tregu.”
Kriza ekonomike botërore sipas kreut të Bankës se Shqipërisë kanë shtruar disa sfida të forta për ekonominë shqiptare. Si në tregtinë me jashtë, deficitin buxhetor, kursin e këmbimit, apo kredi-dhënien.
Ardian Fullani: “Banka e Shqipërisë gjykon si jetike thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore në ekonomi. Investimi në infrastrukturë duhet të mbetet një prioritet i përdorimit të fondeve të ekonomisë. Investimi me prioritet në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë meritojnë vëmendjen e të gjithë aktorëve ekonomikë të vendit.”
Sipas të dhënave të regjistruara ne gjysmën e parë të vitit, inflacioni mbeti brenda parametrave duke shënuar normën 2.3% në muajin Qershor, dërgesat e emigrantëve u ulën me rreth 8 %, ndërsa portofoli i kredisë njohu një rritje modeste prej 7.5 miliardë lekësh.
Sipas guvernatorit Fullani megjithëse mbetet brenda nivelit të planifikuar për vitin 2009, deficiti buxhetor prej rreth 30 miliardë lekësh përbën një shifër shumë më të madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro